Ndërsa shumë persona ndjekin me përkushtim një regjim stërvitjeje dhe ushqimi për të ndërtuar masë muskulore, rezultatet nuk janë gjithmonë të njëjta për të gjithë. Ekspertët theksojnë se përveç ushtrimeve dhe dietës, faktorë si gjenetika, hormonet dhe struktura muskulore luajnë rol kyç në suksesin e këtij procesi.
Procesi biologjik pas ndërtimit të muskujve
Rritja e muskujve ndodh kur qelizat muskulore prodhojnë proteina të reja më shpejt sesa ato shpërbëhen. Kjo nxitet nga tensioni që krijohet gjatë ushtrimeve me pesha dhe nga dëmtimet mikroskopike që pësojnë muskujt gjatë stërvitjes. Trupi i përgjigjet duke i riparuar këto dëmtime dhe duke i forcuar muskujt.
Megjithatë, për fillestarët ose ata që e teprojnë me intensitetin e ushtrimeve, shumica e proteinave që prodhon trupi shkon për rikuperim dhe reduktim të inflamacionit, në vend që të përdoret për ndërtim muskujsh.
Gjenetika – një faktor vendimtar
Në rastet kur një person ushqehet dhe stërvitet rregullisht, por nuk sheh progres të dukshëm, arsyeja mund të qëndrojë tek gjenet.
Struktura gjenetike ndikon në përbërjen e fibrave muskulore, pra në raportin mes fibrave të ngadalta dhe të shpejta – të cilat janë të përshtatshme për tipe të ndryshme aktivitetesh fizike. Ky raport është kryesisht i trashëgueshëm.
Gjithashtu, rolin e vet e luajnë ribozomet – strukturat molekulare që prodhojnë proteina në trup.
Numri dhe tipi i ribozomeve ndryshon nga një person tek tjetri dhe ndikon drejtpërdrejt në kapacitetin për të ndërtuar masë muskulore.
Ndikimi i gjinisë dhe hormoneve
Testosteroni, hormoni kryesor mashkullor, është një tjetër element kyç në ndërtimin e muskujve, pasi stimulon sintezën e proteinave dhe aktivizon qelizat që kontribuojnë në rritje muskulore.
Kjo shpjegon edhe pse meshkujt kanë zakonisht më shumë masë muskulore se femrat, veçanërisht pas pubertetit.
Megjithatë, studime të fundit tregojnë se kur burrat dhe gratë ndjekin të njëjtin program stërvitjeje, përparimi relativ në përmasa është i ngjashëm. Kjo ndodh sepse rritja e përkohshme e testosteronit gjatë stërvitjes nuk ka aq ndikim sa niveli bazë i këtij hormoni në trup.