Lifestyle

Studim/ Gjenet mund të shpjegojnë ndryshimet në efikasitetin e barnave për humbje peshe!

Variacionet gjenetike mund të ndihmojnë në shpjegimin pse pacientët reagojnë ndryshe ndaj ilaçeve të njohura për humbje peshe, sipas një studimi të ri. Ilaçet për humbje peshe (agonistë) si Ozempic, Mounjaro dhe Zepbound kanë transformuar menaxhimin e peshës dhe kujdesin për obezitetin.

Megjithatë, ato nuk janë aq efektive për të gjithë pacientët; disa humbasin më pak se 5% të peshës së tyre trupore, ndërsa të tjerët humbasin më shumë se 20%.

Gjenetika mund të luajë një rol kyç në arsyen pse këto ilaçe agoniste të receptorit GLP-1 për humbje peshe funksionojnë më mirë për disa njerëz sesa për të tjerët, duke përfshirë edhe ndryshimin e efekteve anësore, kanë zbuluar studiuesit nga Instituti i Kërkimeve 23andMe jofitimprurës.

“Tregu është i mbushur me mbështetje dhe ilaçe për humbje peshe, por qasja ndaj menaxhimit të peshës është zakonisht një metodë prove dhe gabimi”, tha Noura Abul-Husn, drejtoreshë mjekësore në Institutin e Kërkimeve 23andMe. “Kjo mund t’i çojë njerëzit të hidhen në trajtim me një shkallë të lartë pasigurie dhe pritjesh jorealiste në lidhje me efikasitetin dhe efektet anësore të mundshme.”

Agonistët e receptorit GLP-1 janë një klasë ilaçesh që i bëjnë njerëzit të ndihen të ngopur për më gjatë duke imituar efektet e hormonit GLP-1, të cilin trupi e prodhon natyrshëm dhe ndihmon në rregullimin e oreksit dhe sheqerit në gjak.