A të ka ndodhur ndonjëherë që, megjithëse e do shtëpinë tënde, të ndihesh më i qetë në shtëpinë e dikujt tjetër? Ose ndoshta e ndjen veten më të relaksuar kur shkon për vizitë tek një mik, një i afërm apo dikush me të cilin ndihesh mirë? Ky fenomen është më i shpeshtë sesa mendohet dhe ka një shpjegim interesant psikologjik.
Sipas terapistëve të marrëdhënieve dhe studimeve të sjelljes, trupit dhe mendjes sonë u duhet një hapësirë neutrale, larg përgjegjësive, detyrave dhe kujtimeve të ngulitura në ambientet personale. Shtëpia jonë shpesh lidhet me lista detyrash, me presionin për të pasur gjithçka në rregull, me kujtimet emocionale që mbartim, situatat që kemi jetuar dhe madje edhe me lodhjen e akumuluar. Pra, shtëpia nuk është vetëm vend fizik, ajo mban histori, tensione dhe reflektime të brendshme.
Ndërsa shtëpia e dikujt tjetër funksionon si një zonë e pastër emocionale. Nuk kemi përgjegjësi aty, nuk jemi të lidhur me detyra, nuk kemi për çfarë të kujtojmë ose të analizojmë. Truri “pushon” sepse nuk ka asgjë për të procesuar. Psikologët e quajnë këtë fenomen ‘Restorative Presence’, pra praninë rigjeneruese që një hapësirë tjetër mund të të ofrojë. Në një ambient të ri:
- Nuk ka detyra të heshtura (si larja e enëve, rrobat, organizimi).
- Nuk ka memorie emocionale të mbushura (as pozitive, as negative).
- Truri pushon nga autopiloti i zakonshëm.
- Ndjesia e të qenit mysafir krijon siguri dhe lehtësi.
Kjo është arsyeja pse shpesh njerëzit thonë:
Sa rehat jam këtu, nuk dua të iki.
Nuk është vendi vetë, është liria mendore që ai vend përfaqëson. Edhe në marrëdhënie romantike, të shkuarit në shtëpinë e partnerit mund të japë ndjesinë e një “strehe emocionale” që nuk vjen nga objekti, por nga ritmi i përbashkët i qetësisë.