Lifestyle

Pse gratë shpenzojnë më shumë para periodave?

Një studim i ri nga Universiteti i Hertfordshire në Mbretërinë e Bashkuar ka zbuluar se shumë gra janë të prirura të bëjnë blerje impulsive pak ditë para periodave.

Hulumtimi, i publikuar në revistën “Personality and Individual Differences”, tregon se ndryshimet hormonale gjatë fazës luteale të ciklit menstrual – që ndodh rreth 10 ditë para menstruacioneve – ndikojnë drejtpërdrejt në sjelljen konsumatore.

Sipas studiuesve, në këtë periudhë hormonet ndikojnë në rregullimin e emocioneve dhe përballimin e stresit, duke shtyrë trupin të kërkojë shpërblim të menjëhershëm.

Kjo shpesh çon në blerje të paplanifikuara, që variojnë nga produkte kozmetike e rroba, deri te artikuj që nuk janë domosdoshmërisht të nevojshëm.

Ajo dëshira e papritur për të blerë diçka të re nuk është rastësi, por lidhet me biologjinë

-theksojnë autorët.

Një shembull i zakonshëm është “shopping-u i natës vonë” ose mbushja e karrocës online me produkte që nuk kanë rëndësi jetike. Megjithatë, këto blerje, sipas ekspertëve, shpesh sjellin një ndjesi çlodhjeje dhe kënaqësie afatshkurtër.

Specialistët sugjerojnë që njohja e këtij modeli sjelljeje mund t’u ndihmojë grave të menaxhojnë më mirë financat e tyre, duke qenë të vetëdijshme se impulset e forta për të “trajtuar veten” në këtë periudhë janë pjesë e ciklit hormonal.

Ky studim vë në dukje se vendimet e konsumit nuk janë gjithmonë thjesht psikologjike, por shpesh kanë rrënjë biologjike.