Strategjia e SPAK për të hetuar krimet zgjedhore ka ngjallur interesin e ndërkombëtarëve.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, raporton se paraditen e kësaj të marte, kreu i SPAK, Altin Dumani ishte në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, ku drejtoi një tryezë të rrumbullakët e shpjegoi përpjekjet për t’u përballur me krimet zgjedhore të mundshme.
Në prezencën edhe të ngarkuarës me punë të Ambasadës Amerikane, të delegacionit të BE në Tiranë dhe disa ambasadorëve të vendeve të BE, Altin Dumani ka shpjeguar strategjinë për hetimin e krimit zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit dhe ka ndarë me ambasadorët problematikat e zbuluara deri më tani.
Në kushtet e anonimatit, një prej ambasadorëve i tha Top Channel se “takimi dërgon një sinjal të qartë mbështetës për këtë strategji kundër krimeve zgjedhore e vënë në zbatim prej SPAK, institucion i vendosur nën sulme frontale nga aktorë të ndryshëm të politikës shqiptare”.
Altin Dumani para disa ditësh u takua me kryeprokurorin e Zyrës së Prokurorit Kombëtar të Holandës, John Lucas gjatë një vizite në Holandë. Ambasada holandeze në Tiranë zbardhi detaje nga takimi, ku në fokus të diskutimeve ishte lufta kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.
Dumani ndodhej në Holandë në kuadër të një konference që u zhvillua atje, ku morën pjesë prokurorë nga Evropa, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore.
Nga data 25 deri më 28 mars, Holanda mbajti një konferencë të rëndësishme ku morën pjesë prokuroritë kryesore nga Evropa, Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, së bashku me aktorë të tjerë. Aktiviteti u hap nga Ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë i Holandës, z. David van weel.