Ukraina po i kërkon komunitetit ndërkombëtar të reagojë ndaj kërcënimeve të Vladimir Putin për të goditur objektivat e qeverisë në Kiev.
Udhëheqësi rus tha sot se Moska po zgjedh objektiva në Ukrainë që mund të përfshijnë “qendra vendimmarrëse” në Kiev në përgjigje të gjuajtjes së raketave perëndimore nga ana e Ukrainës në territorin rus.
Sulmet e nisura nga Moska deri më tani nuk kanë goditur ndërtesat qeveritare në kryeqytetin ukrainas, i cili mbrohet shumë nga mbrojtja ajrore.
“Ne presim që ato vende që u kanë kërkuar të gjithëve të shmangin zgjerimin e luftës, të reagojnë ndaj deklaratave të shprehura nga Putin sot”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi.
Ai e quajti retorikën e Putinit “shantazh” që synon të dekurajojë partnerët e Kievit dhe të testojë presidentin e zgjedhur të SHBA, Donald Trump, i cili është zotuar të kërkojë një fund të shpejtë të konfliktit pa specifikuar se si.
“Putini padyshim që përpiqet të ndikojë në administratën e re amerikane me këto deklarata dhe ai përpiqet të tregojë në thelb se kjo administratë e re është e dobët”, shtoi Tykhyi.
Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin vlerëson presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, si një politikan “me përvojë dhe inteligjent” dhe shtoi se administrata e presidentit në detyrë, Joe Biden “po përpiqet të krijojë probleme për Trump”.
Gjatë fjalës së tij në margjinat të Këshillit të Sigurisë Kolektive (CSTO) në Astana, Kazakistan, lideri rus përsëriti pikëpamjen e tij se Perëndimi është i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë.
“Në fillim të nëntorit, zyrtarët e vendeve perëndimore njoftuan se u kishin dhënë leje forcave të armatosura të Ukrainës për të goditur territorin e Rusisë me armë me precizion të lartë të prodhimit perëndimor Përdorimi i këtyre armëve pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të personelit dhe specialistëve ushtarakë të vendeve të NATO-s në fjalë është thjesht i pamundur”,- tha Putin.
Që nga përdorimi i raketave me rreze të gjatë të Perëndimit, nga Kievi, Moska ka shtuar dhe rënduar sulmet mbi territorin ukrainas. Kremlini është zotuar për përgjigje reciproke ushtarake ndaj Ukrainës sa herë kjo e fundit do të përdorë municione nga Perëndimi.
Edhe nga Kazakistani, presindeti Putin tha se nëse Ukraina zgjeron arsenalin e saj dhe “bëhet një fuqi bërthamore, Rusia do të përgjigjet me çdo mjet të mundshëm të shkatërrimit”.