Bota

Putin ngushëllon Iranin për vrasjen e Khameneit!

Presidenti rus, Vladimir Putin shprehu ngushëllime për vrasjen e liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khameneit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Rusi, TASS.

Vdekjen e Khameneit e përshkroi si “vrasje cinike që i ka shkelur të gjitha normat e moralit njerëzor dhe ligjit ndërkombëtar”.

Rusia është aleate e Iranit. Vitin e kaluar, dy shtetet ranë dakord për të përforcuar bashkëpunimin ushtarak e firmosën një traktat 20-vjeçar “të partneritetit strategjik”.

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei u vra dje në zyrën e tij nga sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit. Sot në një njoftim, shteti hebraik konfirmoi se po vazhdon goditjet kundër shënjestrave të regjimit “në zemër të Teheranit”, teksa Irani po kryen sulme në shtetet e Gjirit Persik.

Për sulme është raportuar në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, në Doha të Katarit, në Bahrein, Kuvajt e madje në Oman, vend që shërbeu si ndërmjetës në bisedimet e fundit Amerikë-Iran mbi programin bërthamor të Republikës Islamike.

Presidenti amerikan, Donald Trump e quajti Khamenein “një prej njerëzve më djallëzor në histori” dhe u bëri thirrje iranianëve ta marrin në duar shtetin e tyre.

Irani u zotua për “ofensivë shkatërruese” kundër bazave amerikane dhe Izraelit, në shenjë hakmarrjeje. Por, Trump e paralajmëroi të mos veprojë ashtu, se siç vuri në dukje “do të përballet me forcën më të madhe të parë ndonjëherë”.

Ajatollah Ali Khamenei e drejtoi Iranin për dekada. Mbështetësit e tij e shihnin si një udhëheqës të devotshëm e të mençur, ndërsa kritikët, si një autoritar të pakompromis që Republikën Islamike e zhyti drejt izolimit të thellë ndërkombëtar.

Vitet e tij të fundit si udhëheqës suprem u njollosën nga protesta masive dhe nga një shtypje brutale që la mijëra demonstrues të vdekur.

Disa video të publikuara në rrjetet sociale treguan festën e bërë në Iran, pasi Trump njoftoi se lideri suprem i Iranit, Khamenei u vra në sulmet amerikane dhe izraelite që nisën një ditë më parë.