Bota

Putin: Propozimet amerikane për Ukrainën bazohen në marrëveshjet e samitit në Alaska!

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se propozimet e dërguara nga emisaret amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner për një zgjidhje të konfliktit në Ukrainë bazohen në marrëveshjet e arritura gjatë samitit Rusi–SHBA në Alaska.

Në një intervistë, ai tha se Uashingtoni ka paraqitur një plan paqeje prej 28 pikash, të ndarë në katër paketa për diskutime të veçanta.

Putin e cilësoi takimin pesëorësh me Witkoff dhe Kushner në Kremlin si “shumë të dobishëm”, duke theksuar se çdo pikë e planit u diskutua në detaje. Sipas tij, ndarja e planit në katër grupe nuk ndryshon përmbajtjen themelore të dokumentit: “Në thelb, ato janë të njëjtat pika.”

Ai shtoi se presidenti amerikan Donald Trump “po përpiqet sinqerisht” për një zgjidhje konsensuale për konfliktin në Ukrainë, por procesi është i vështirë dhe ende ka çështje ku palët nuk kanë arritur dakordësi.

Sa i përket propozimeve të Moskës, Putin tha se Rusia i kishte sugjeruar Ukrainës të tërhiqte forcat e armatosura nga Donbasi për të shmangur konfrontimin ushtarak, por sipas tij, Kievi zgjodhi vazhdimin e luftimeve. Ai nënvizoi se Rusia synon të “çlirojë” Donbasin dhe Novorossian, “ose me forcë, ose nëse Ukraina tërhiqet nga këto territore”.

Putin theksoi se vendet evropiane duhet të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin dhe jo të pengojnë procesin e negociatave.