Presidenti rus, Vladimir Putin sot pret të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff në Moskë, pasi Shtëpia e Bardhë u shpreh “shumë optimiste” për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që i jep fund luftës në Ukrainë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vlerëson se janë disa “tema të vështira ku ende duhet punuar”.
Në takim merr pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka shërbyer si këshilltar i jashtëm në bisedimet diplomatike. Samiti do të zhvillohet dy ditë pas negociatave në Florida mes zyrtarëve ukrainas e amerikanë, përfshirë Witkoffin dhe Kushnerin, me qëllim të ripërcaktimit të një plani amerikan, i cili nga disa ukrainas është përshkruar si shumë i favorshëm për Rusinë.
Takimi i Witkoff-it me Putinin zhvillohet në pjesën e dytë të ditës, siç bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Duke folur pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron dje në Paris, Zelensky tha se në bisedimet për paqe, prioritetet e Kievit janë ruajtja e sovranitetit të Ukrainës dhe garanci të forta të sigurisë.
Aspekti territorial është elementi më i vështirë i bisedimeve për paqe, pasi Kremlini vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territori në lindje të cilin ende e kontrollon, diçka që Kievi e ka mohuar vazhdimisht me çdo çmim.
Para nisjes për në Moskë, Witkoff pati bisedime me kryeministrin britanik Keir Starmer e me shefin e ri negociator të Zelensky-t, Rustem Umerov, ndërsa disa liderë europianë hynë online në takimin mes Zelensky-t dhe Macron-it. Lideri francez ka përshëndetur përpjekjet e administratës Trump për t’i dhënë fund konfliktit që ka nisur më 2014-ën kur Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe vazhdoi me luftën në shkallë të plotë në Ukrainë, më 2022-shin.
Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, u shpreh se kjo javë mund të jetë vendimtare, ndonëse Moska dëshiron të negociojë vetëm “me ata që po ofrojnë diçka tjetër përveç asaj që tashmë kanë”.
Në muajt e fundit, Moska është përfshirë disa herë në përpjekjet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës, por shumica e kërkesave të saj janë në kundërshtim me sovranitetin e Ukrainës dhe konsiderohen të papranueshme nga Kievi. Përveç koncesioneve territoriale, çështja e garancive të sigurisë është një tjetër temë e madhe.