Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot nuk do të marrë pjesë në takimin joformal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Lajmin e konfirmoi zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se kryeministri ka të tjera angazhime në Greqi. Në Facebook shkruan:
Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.
Qeveria e Kosovës reagoi lidhur me lajmin për pjesëmarrjen e zv.kryeministrit Besnik Bislimi sot në takimin informal në Tiranë. Sipas Prishtinës zyrtare, nuk pati konfirmim për pjesëmarrje.
Lajmi i djeshëm për pjesëmarrjen e zv.kryeministrit Bislimi në takimin joformal në Tiranë nuk është i vërtetë. Nuk ka qenë i planifikuar e aq më pak i konfirmuar. Meqë nuk ka patur asnjë konfirmim nga zëvendëskryeministri Bislimi, atëherë nuk ka mundur as t’i refuzohej pjesëmarrja apo prania e tij. Prandaj edhe raportimet nga disa media shqiptare në lidhje me refuzimin nuk janë gjë tjetër veçse spekulim dhe duke qenë i tillë veç mund të spekulojmë për origjinën e tij.
Sot në Tiranë zhvillohet një takim joformal i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor. I pranishëm dhe eurokomisioneri për Fqinjësinë e Zgjerimin, Oliver Varheyli. Takimi vjen në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet më 16 tetor, po në kryeqytet.
Ndërsa këtë vit Shqipëria kryeson Procesin e Berlinit, kryeministri Edi Rama e paralajmëroi takimin joformal gjatë turneut dy-ditor në shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë. Ky takim synon diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë liderë të vendeve të Bashkimit Europian.
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014, me nismën e kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim lidhjen dhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor para se të anëtarësohen në Union.
Procesi i Berlinit shërben si platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e përbërë nga Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut e Serbia. Procesi përfshin dhe institucionet e BE-së, ato financiare ndërkombëtare e shoqërinë civile në rajon.
Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson dhe ringjalljen e procesit që kur kancelari Olaf Scholz drejton qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në Tiranë.