Qindra ushtarë rusë janë duke u trajtuar në spitale të Koresë së Veriut, siç theksoi një diplomat rus, duke konfirmuar një tjetër nivel të bashkëpunimit të Moskës me Phenianin për luftën në Ukrainë. Në një intervistë për gazetën shtetërore ruse, Rossisskaya, ambasadori i Rusisë në Korenë e Veriut, Aleksandr Matsegora, nuk dha shumë hollësi se sa rusë janë të shtruar në Korenë e Veriut dhe nuk ofroi të dhëna për viktimat.
Shembull i qartë i sjelljes vëllazërore mes Moskës e Phenianit është edhe rehabilitimi i qindra ushtarëve të plagosur në luftën në Ukrainë, në spitalet koreane.
Moska ka kërkuar ndihmën e Koresë së Veriut për luftën në Ukrainë, pothuajse gjashtë muaj pas nisjes së saj, në shkurt të vitit 2022. Inteligjenca perëndimore ka njoftuar se Rusia është duke blerë miliona predha prej Koresë së Veriut e këto raportime mbështeten nga imazhet satelitore që tregojnë nisjen e rindërtimit të kantiereve hekurudhore, urave hekurudhore e të tjera objekteve të lëvizshme në kufirin e tyre të përbashkët, në brigjet e Paqësorit.
Në vjeshtën e 2024-ës, ushtarët e Koresë së Veriut janë parë në fushëbetejë në kufirin rus, kryesisht në rajonin Kursk, të cilin e ka pushtuar Ukraina në gusht të vitit të kaluar.
Në nëntor, presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri koreanoverior, Kim Jong Un, nënshkruan traktat për bashkëpunim strategjik, duke thelluar lidhjet e tyre ekonomike e politike. Zyrtarët perëndimorë dhe ata ukrainas u shprehën se 10.000 deri në 12.000 ushtarë koreanoveriorë janë të angazhuar në rajonin Kursk, ndërsa trupat ukrainase kanë kapur të burgosur, por shifra e saktë nuk dihet.
Zyrtarët ukrainas raportuan muajin e kaluar se trupat koreanoveriore janë zhdukur prej fushëbetejës në Kursk, për shkak të numrit të madh të viktimave. Aktualisht mbetet e paqartë nëse është tërhequr i gjithë kontingjenti apo do të rikthehet me furnizime të reja. Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se prej nisjes së luftës në Ukrainë, Rusia është përballur me mbi 700 mijë viktima.