Nesër Tirana pret edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, një event që mbledh shqiptarët nga të gjitha anët e botës. Në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama tha se samiti do të hapet me ceremoninë e mirëseardhjes, me vëmendje te njerëzit dhe historitë e tyre, që shefi i qeverisë i cilësoi “histori krenarie shqiptare anembanë”.
Rama theksoi se sot, diaspora është forcë konkrete zhvillimi dhe se merr pjesë në këtë samit pas përfshirjes për herë të parë në zgjedhjet e vendit.
Nesër mirëpresim në Tiranë, Samitin e Diasporës, edicioni i katërt që mbledh shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, por që sytë i kanë nga Shqipëria. E nisim më 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe historitë e tyre që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë.
Por, njëkohësisht edhe një hapje për vlerësim, jo vetëm për shqiptarët që kanë kontribuar jashtë, por edhe miq të huaj të tyre që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së shqiptarëve.
Sot diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe ajo vjen në këtë samit për herë të parë pas një përfshirje historike në zgjedhjet e vendit. Sfida jonë është të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë dhe mendjesh që krijojnë vlerë të shtuar në një bashkëpunim që prodhon rezultatet për vendin.