Aktualitet

Rama flet nga Londra për Kosovën: Prishtina duhet të harrojë Beogradin dhe të lërë Europën të merret me Serbinë!

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për Prishtinën, teksa foli sot nga Londra për dialogun Kosovë–Serbi, në panelin e Chatham House.

Sipas tij, për të pasur sukses dhe për të ecur përpara drejt integrimit evropian, Kosova duhet të fokusohet në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga dialogu me Serbinë, pa u kushtëzuar nga veprimet e Beogradit.

“Që të jetë e suksesshme, Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat e dialogut. T’ia lërë topin në fushën e Serbisë. Të lërë Europën të merret me Serbinë dhe jo ta lërë çështjen të shndërrohet në fajësim të saj,” – tha Rama gjatë diskutimit në Londër.

Kreu i qeverisë  theksoi se është në interesin e Kosovës që të ruajë qetësinë, të dëshmojë vullnetin për zbatimin e marrëveshjeve dhe të mos i japë BE-së apo ndërkombëtarëve asnjë arsye për ta parë si palë problematike.

Kryeministri nënvizoi se i takon Kosovës të shtyjë përpara dhe të bindë vendet hezituese përmes një qëndrimi të matur dhe të qëndrueshëm politik, që përputhet me vlerat e Bashkimit Evropian.

Edi Rama: Kosova është republikë një shtet i ri demokratik i njohur nga fuqitë e mëdha dhe ende jo i njohur nga pesë vende nga BE. Në këtë drejtim nuk shoh problem. Nga ana tjetër i takon Kosovës që të shtyjë përpara dhe të bindë pjesën tjetër për pozicionin e konsoliduar sa i takon vlerave në botën demokratike dhe BE. Që të jetë e suksesshme Kosova duhet të harrojë Serbinë dhe të realizojë të gjitha pikat e dialogut. T’ia lënë topin në fushë Serbinë, të lënë Europën të merret me Serbinë. Dhe jo ta lënë cështjen të shndërrohet në fajësim të tyre.