Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë pune në Londër. Pritet që gjatë kësaj dite, shefi i qeverisë të zhvillojë takime të nivelit të lartë me homologun britanik, Keir Starmer, si dhe përfaqësues të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.
Ndërkaq nesër, Rama do t’i bashkohet Samitit të Procesit të Berlinit bashkë me liderët e vendeve të rajonit dhe ata të Bashkimit Europian. Gjatë qëndrimit në Britani, kryeministri do të jetë pjesë e forumeve ndërkombëtare që trajtojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin me Bashkimin Europian.
Më 22 tetor, pra nesër, është Mbretëria e Bashkuar që pret udhëheqësit e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor e të tjerë liderë europianë për samitin e Procesit të Berlinit, me qëllim stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik në rajon.
Po ashtu, punimet e samitit do të përqendrohen në mënyrën e bashkëpunimit për të luftuar përdorimin e rajonit si rrugë tranziti në emigracionin e parregullt.
I njohur zyrtarisht si Procesi i Berlinit, samiti synon që të forcojë bashkëpunimin me partnerët europianë, për të ndihmuar në zbatimin e strategjisë së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të forcuar kufijtë, për të shkatërruar bandat dhe kthyer në vendet e tyre ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Britani.
Samiti vjen në një kohë kur Mbretëria e Bashkuar po zbaton një regjim sanksionesh, i pari në botë, për të kapur trafikantët e qenieve njerëzore.