Aktualitet

Rama-komentuesve: Ndërtimet pa leje peshqesh i trashëguar nga këneta!

Në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të qytetarëve lidhur me Panairin e parë të Punës që më 2 mars do të mbahet në Athinë. Rama u shpreh se ka plot shqiptarë që kthehen dhe se pensionet europiane nuk mund të realizohen pa marrëveshje.

Ka plot shqiptarë që kthehen. E keni parë që iu del llogaria më mirë, sidomos kur kursimet e tyre andej i investojnë këtej për një fermë, agroturizëm. Pensionet europiane nuk bëhen aq kollaj si në komente. Çdokush thotë se do pension europian në Shqipëri, por sigurimet i ka bërë në Greqi dhe nuk është e mundur, pa mbyllur marrëveshjet e pensioneve me Greqinë, siç i mbyllëm me Italinë. Kur erdhëm në detyrë nuk kishte fare marrëveshje, por Shqipëria nuk kishte fytyrë të ulej si e barabartë në tavolinë.

Lidhur me lehtësimin për marrjen e dokumentave, Rama u shpreh se çdo dokument merret përmes celularit, përjashtuar ato të ndërtimit, që sipas tij “janë peshqesh nga këneta”.

Në këtë vend është më kollaj për të marrë dokumente sepse i merr me celularë ndërsa për ndërtimet e bëra në pronën e të tjerëve e tënden, i kemi peshqesh nga këneta që e ka bërë vendin lesh e li dhe kjo po vihet në vend. Brenda kohës së negociatave me Bashkimin Europian do ta mbyllim këtë gjë. Shqipëria 2030 nuk do ta ketë më këtë problem.

Më tej në sesionin me komentuesit, kryeministri Rama vijoi duke diskutuar lidhur me furnizimin me ujë në kryeqytet, për të cilin u shpreh se kur erdhi në pushtet, asnjë zonë nuk kishte ujë 24 orë, ndërkohë që tani  vijojnë investimet në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Tirana ka 24 orë ujë në 67% të territorit ndërsa vijojnë investimet dhe në tërë Shqipërinë. Nuk ka pasur ujë 24 orë as në komunizëm. Kur morëm detyrën, në asnjë zonë nuk kishte 24 orë ujë.

Në turizëm dhe ndërtim del më mirë hesapi për të punuar këtu se atje. Do të prezantojmë edhe portalin e vendeve të punës, aty ku shqiptarët e Europës kanë zemrën.