Aktualitet

Rama-komentuesve: Në turizëm e ndërtim fitoni sa në Greqi e paguani më pak taksa!

Kryeministri Edi Rama sërish iu bëri thirrje emigrantëve që të kthehen në atdhe për të investuar. Në rubrikën “Sy m’Sy”, iu përgjigj komenteve mbi nivelin e pagave në Shqipëri krahasuar me ato në Greqi.

Ata që thonë që është më mirë në Greqi, nuk është e vërtetë.

Gënjeshtër, unë punoj çoban dhe marr 1 mijë euro. Shtëpi, drita, ujë i paguan pronari. Në Shqipëri, në një karburant për 250 mijë lekë.

Këtij komentuesi, Rama i vuri në dukje se Shqipëria ka kaluar një fazë ndryshimesh të mëdha ekonomike dhe nuk ka më paga 250 mijë lekë të vjetra. Po ashtu, theksoi se në sektorët e turizmit dhe ndërtimit ofrohen të ardhura të ngjashme me të Greqisë, por me taksa më të ulëta. Ai shtoi se për ata që punojnë jashtë qytetit, shumë kompani u mbulojnë shpenzimet për ushqim dhe akomodim.

Ka kohë që nuk ka më rroga 250 mijë lekë të vjetra në Shqipëri. 57% e rrogave në Shqipëri nuk kanë asnjë taksë, ndërsa 36% prej e tyre kanë nga 4-10% taksë. Vetëm rrogat mbi 1300 euro e kanë taksën mbi 10%. E dyta, me turizëm dhe ndërtim në Shqipëri merr sa në Greqi e paguan më pak taksë ndërsa kur je jashtë qytetit, edhe fjetjen edhe ushqimin ta paguan kompania, këto janë fakte. Me këto shpjegohet edhe kthimi i atyre që kanë filluar të kthehen e të punojnë në turizëm apo i atyre që kursejnë nga jashtë, në agroturizëm. Se ju del ku e ku më mirë.

Koha ka ndryshuar edhe në Europë e botë. Kostoja e jetesës është rritur aq shumë sa nuk ka më kursime si dikur.

Rama thotë se për pak vite, Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe ata që kthehen i japin vetes mundësinë të fitojnë më shumë para, se me futjen në Union, gjithçka bëhet njësoj si kudo tjetër.

E treta, avash me kekun dhe me byrekun, se nuk janë më kohërat që ishin. Nuk është më njësoj bota e Europa me atë që ishte deri dje. Kostoja e jetesës është rritur aq shumë sa s’ka më kursime si dikur. Secili t’i shohë me qetësi opsionet e veta e të vendosë qoftë për t’u kthyer plotësisht, qoftë pjesërisht. Ca kohë këtu e ca kohë atje apo qoftë duke investuar këtu e duke ndenjur atje.

Të gjitha janë të mundura dhe nga të gjitha këto gjen te njerëzit që janë kthyer apo i kanë kthyer sytë nga Shqipëria. Jemi në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030. Për pak vite do të jemi anëtarë të BE-së, gjithçka do të ndryshojë, por kush vjen sot i jep vetes mundësinë të fitojë më shumë, përpara se me hyrjen në BE gjithçka të bëhet njësoj si kudo tjetër.