Kryeministri Edi Rama vazhdoi fushatën zgjedhore në qytetin e Kuçovës. Ai theksoi se falë Partisë Socialiste, ky qytet ka pësuar një ndryshim të madh.
Ai u shpreh gjithashtu se mandati i katërt i qeverisjes është i domosdoshëm për të çuar përpara procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Kuçova e ka mbështetur historikisht, pa rezervë PS dhe më vjen mirë që nuk e kemi marrë mbështetjen tuaj si diçka që e kemi në xhep. Kemi bërë aq sa kemi mundur që ky komunitet ta ndjejë ndryshimin që ka prekur të gjithë Shqipërinë. Do vijojmë ta mbështesim Bashkinë Kuçovë me aq sa mundemi dhe qarkun e Beratit. Si e gjithë Shqipëria, edhe ky komunitet, çdo familje, ka nevojë nga mandati ynë i katërt, për përmbushjen e një misioni historik, për popullin shqiptar, për Shqipërinë. Anëtarësimin në Bashkimin Europian. Me anëtarësimin në BE, Shqipëria do të marrë 1 miliard euro në vit”, tha ai.
LEXO EDHE: Rezoluta e PPE-së për krimet zgjedhore, kryeministri Rama: Broçkulla!
“Nga mandati ynë i katërt, ky qytet dhe Shqipëria ka nevojë për diçka, anëtarësimin e vendin në BE. Po ua them shumë drejtpërdrejt, këto zgjedhje dhe ky mandat nuk është për mua, për karrigen time, për shumicën tonë të thjeshtë, është për shumë më tepër sesa kaq. Arsyeja se përse u them se PS i duhet mandat i katërt, është sepse bëhet fjalë për të përmbushur një mision historik, që zanafillën e ka të profecia e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, që e përcaktoi fatin tonë të lidhur me Perëndimin dhe jo më Lindjen”, tha Rama.