Aktualitet Politikë

Rezoluta e PPE-së për krimet zgjedhore, kryeministri Rama: Broçkulla!

Kryeministri Edi Rama reagoi mbi rezolutën e miratuar nga Partitë Popullore Europiane, “Integriteti Zgjedhor në Shqipëri”, me propozimin e Partisë Demokratike. Duke folur sot në rubrikën “Sy m’sy”, Rama tha se të gjitha ato që ka dëgjuar mbi rezolutën duke nisur që nga akuzat për blerje votash, abuzime me detyrën dhe prokurime favorizuese janë “një mal me broçkulla të dëgjuara sa herë ka pasur zgjedhje dhe të përsëritura sa herë ka pasur humbje”.

Kemi disa gjëra besoj për të folur, duke nisur nga boria e parë e humbjes që ra dje në Spanjë ku ishin mbledhur partitë simotra të kënetës, që u ka mbetur këneta mes tyre dhe nuk dinë as ato çfarë të bëjnë. Këneta kaloi nëpër tavolina një fletërrufe siç ndodh në konferencat e partive dhe aty filloi avazi; blerje vote me lekë dhe me kanabis. Punësime elektorale dhe prokurime favorizuese për mbështetësit e socialistëve, abuzime me detyrën dhe mediat, emërim ilegal i kryetarit të bashkisë, kërcënim dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës. Domethënë një mal me broçkulla të dëgjuara sa herë ka pasur zgjedhje dhe të përsëritura sa herë ka pasur humbje.

Duke iu referuar këtyre akuzave, kreu i qeverisë tha më tej se në Shqipëri tashmë ka një institucion si SPAK-u që është aty në terren dhe në zyrë për të hetuar krimin zgjedhor.

E reja e këtyre zgjedhjeve është se kemi një strukturë speciale siç është SPAK-u që është në terren dhe është në zyrë. Eshtë i fokusuar në marrjen e të gjitha denoncimeve që ma ha mendja mua janë lumë, sepse kur lexon këto fletërrufe kupton fletërrufeja duhet mbështetur në denoncime dhe denoncimet duhen bërë siç janë në stilin e kënetës, njësoj si ato të kohës së dikurshme.

Denonco, fillo presionin, vë nën dritën e projektorëve prokurorët, detyroji që të fillojë procese, deri kur ajo që ti kërkon të marrë trajtën e një hetimi dhe në momentin që fillon hetimi, shpall ti pafajësinë, përpara se sa ta nxjerrë hetimi. Kjo është logjika e përgjithshme. Duke qenë se kam qenë pre edhe vetë i një kallëzimi të rremë jam shumë i qartë se si zhvillohet e gjitha, por fakti është që tani të paktën kemi një institucion që është mbi palët dhe t’i shohë dhe t’i verifikojë se ku janë votat që po merren në këmbim të kanabisit. Kjo është kulminante.

Duke iu referuar akuzave të opozitës që janë përfshirë edhe në rezolutën e Partive Popullore Europiane, Rama shpjegoi:

Sa i përket punësimeve elektorale, theksoj se përpara fillimit të fushatës, qeveria ka nxjerrë vendim dhe ka ndalur të gjitha llojet e punësimeve gjë që nuk e kërkon ligji, por e ka bërë qeveria për të dhënë një kontribut që fusha e betejës të jetë sa më e barabartë. Prokurime, jo favorizuese, po s’ka fare.  Shqipëria gjendet e para për integritetin e prokurimeve në rajon dhe këtë e thotë Komisioni Europian.