Në tryezën kushtuar të drejtës për informim, kryeministri Edi Rama tha se shkak për mosmarrjen e informacionit është përtacia burokratike duke deklaruar se ka kërkuar vënien në zbatim të sanksioneve për çdo ministër dhe sekretar të përgjithshëm përkatës, nëse nuk ka dhënie të informacionit brenda kuadrit kohor të përcaktuar.
Një pjesë e konsiderueshme e problematikave që vijnë këtu lidhet me përtacinë burokratike. Nuk është një barrikadë për të mbajtur informacionin, por një problem i funksionimit të administratës kur vjen puna te intensiteti me të cilin vijnë kërkesat dhe intensiteti me të cilin duhet dhënë përgjigja. Kjo është e përmirësueshme, por jo në ritmin që do të prisnin ata që e shohin gotën gjysmë bosh.
Për të qenë shumë transparent, unë i kam bërë komisionerit një vërejtje se ka një element të munguar në veprimtarinë e tij, që është ai i sanksioneve për autoritetet më të larta. Dhjetë ditë është koha për t’u përgjigjur, pavarësisht se kjo mund të jetë shumë, për intensitetin me të cilin sot zhvillohet bota e informacionit. Nëse në ditën e 11-të nuk ka përgjigje, duhet të ketë sanksione.
I kemi kërkuar ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie te sekretarët e përgjithshëm. Duhet të sanksionohen si ministrat ashtu edhe sekretarët e përgjithshëm. Nëse kjo ndodh disa herë, do të krijohet një ndjesi urgjence, e njëjtë me atë që funksionon te ata që e shohin gotën gjysmë bosh.
Kryeministri Edi Rama shtoi se qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar klimën e punës së gazetarëve dhe për të ulur presionin ligjor ndaj medias, duke theksuar se nuk ka pasur padi penale ndaj gazetarëve nga ana e qeverisë në vitet e fundit.
Nuk dua të hyj në të thella se pastaj na thyhet gota nëse do flas unë për çfarë ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Dua të them që ndërkohë ne kemi marrë dhe një angazhim tjetër që tregon të kundërtën e asaj që thuhet nga gota gjysmë bosh që ta dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk është se ka pasur ndonjë gazetar të goditur penalisht nga paditë e qeverisë në këto vite, as nuk ka pasur padi për gazetarët, sepse i kemi ndaluar të gjitha paditë prej shumë vitesh.
Ne do ta bëjmë edhe këtë hap tjetër, një hap që shkon në drejtim të relaksimit të mëtejshëm të situatës së gazetarëve. Edhe unë nuk besoj se është liria e shprehjes, por është liria e shpifjes. Po kjo temë nuk është për këtë tryezë dhe unë nuk dua të thyej gotën tani. Shpresoj se adresova disa gjera. Ne nuk jemi në kushtet kur shprehim vullnet, por jemi në kushtet kur në mënyrë sistematike përpiqemi që vullnetin e shprehur ta materializojmë me progres.
Edhe në këtë aspekt kemi bërë progres të mjaftueshëm sipas meje për të qenë optimist, se mund të bëjmë më shumë progres, jo mjaftueshëm për të thënë se ju po kërkoni ‘qiqra në hell’ se ne kemi bërë ndonjë mrekulli. Absolutisht jo. Unë i mirëkuptoj ankesat sepse ju jetoni me këtë punë dhe nuk keni pse të jenë të kënaqur me ne. Ndërkohë ne e kemi për të detyrë të jemi të kënaqur me ju në të gjitha rastet”, tha Rama.