“Qeveria po punon me Ministrinë e Shëndetësisë për furnizimin me barna të të gjithë sistemit, publik e privat”. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Edi Rama, në takimin me deputetë e drejtorë të Bashkisë Tiranë dhe ku marrin pjesë drejtues politikë socialistë të qarqeve.
Po punojmë me Ministrinë e Shëndetësisë për barnat mjekësore, për furnizimin e të gjithë sistemit, qoftë atij publik e privat, me barna dhe përsëri me shtetin si palë. Ka ardhur koha që të kalojmë në një rol të ri të shtetit, të qeverisë në ekonomi.
Shefi i qeverisë, Rama u ndal edhe te siguria ushqimore.
Siguria ushqimore, edhe këtu na duhet të hedhim hapa përpara. Eshtë pika më e dobët në negociatat për anëtarësim. Me pezullimin e veprimtarisë së AKU-së, fillimin e një procesi provimi të të gjithë inspektorëve me gojë e shkrim dhe hapjen e mundësisë të të tjerëve që të përfshihen në agjenci, kemi hedhur vetëm hapin e parë.
Nga sot, ka filluar procesi i kontrollit të konfiskimit të qumështit dhe bulmetit pa faturë. Domethënë, pasiguri ushqimore. Qumështi dhe bulmeti i freskët pa faturë, mishi i freskët pa faturë do të sekuestrohen. Ky është vetëm fillimi i një kontrolli të rreptë për sigurinë ushqimore.
Në tërësi, besoj se do të jetë një punë që nuk do të jetë aq e vështirë sa disa vite më parë, sepse baza është e vendosur. 99% e qytetarëve nuk ndërtojnë pa leje, ata që ndërtojnë nuk janë populli, as të shkretë, por shkelës të vetëdijshëm të ligjit. Kjo epokë duhet të konsiderohet e mbyllur.