Aktualitet Politikë

Rama: Më 2026-ën, bizneset në turizëm e transport duhet të mundësojnë pagesa me kartë!

Në kuadër të strategjisë së qeverisë për të ulur përdorimin e parasë cash në ekonomi, kryeministri Edi Rama tha sot se brenda qershorit 2026, bizneset e turizmit e të transportit duhet të garantojnë format alternative të pagesave.

Kemi hapur një kapitull tjetër lidhur me nevojën për të ulur cash në ndërveprimet ekonomike të vendit dhe janë vendosur disa limite si fillim. Ajo që dua të theksoj është që deri në qershor, çdo biznes që operon në sektorin e turizmit dhe transportit duhet të garantojë format alternativat të pagesave për qytetarët, jo vetëm cash dhe asgjë tjetër, por edhe mjetet për të bërë pagesa elektronike.

Sipas kryeministrit, brenda vitit të ardhshëm çdo biznes në Shqipëri duhet të garantojë formën alternative të pagesës, në mënyrë që vendasit apo vizitorët të paguajnë me kartë apo forma të tjera të pagesë elektronike. Lidhur me pagat e administratës, kryeministri e vuri theksin te mjekët e infermierët.

Parashikohet rritje e pagave të mjekëve dhe infermierëve, sikurse dhe rritje e shpërblimit të tyre sipas punës. Në tërësi parashikohet që paga për ta sipas kategorive të rritet 135 euro në muaj. Po kështu njohja e vjetërsisë së punës dhe vlerësimi i saj.

Gjithashtu edhe në shërbimin e trajtimit mjekësor dhe medikamente, pasi kanceri është bërë agresiv dhe po vret më shumë. Kemi dhënë 15 milion euro më shumë për këtë kategori te Onkologjiku e po vijohet më tej për të rritur kapacitetet e shërbimit. Po kështu edhe projektet e tjera, si transplante për gjirin dhe për pacientet gra.

Rama shtoi se po punohet në digjitalizimin dhe transformimin e shërbimit shëndetësor, në autonomi e menaxhim. Sipas tij, në Spitalin Memorial, për herë të parë ka nisur autonomia financiare. Po kështu, në 12 spitale po zbatohet autonomia menaxheriale dhe po vijon puna për katër spitale të tjera.