Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe “start up”-eve mbi rrugën e bërë dhe sfidat për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. Rama theksoi mbështetjen e qeverisë për atë që e cilësoi “botë të re”, duke veçuar rëndësinë e ngritjes së urave të komunikimit, që edhe shteti të bëhet partner. Në fjalën e tij, shefi i qeverisë deklaroi:
Nëse krijojmë sinergji duke u përpjekur të vëmë në dispozicion mjetet që kemi, atëherë patjetër që mund të krijojmë edhe më shumë hapësirë, edhe më shumë brumë për të pjekur në këtë furrë të re. Çka unë i kam kërkuar ministres për Sipërmarrjen është që duke ftuar një numër prej jush, edhe duke përfshirë një numër prej nesh, të kemi një ditë si kjo dhe të trajtojmë në mënyrë sa më shterruese problematikat e kësaj bote të re që është krijuar në vendin tonë.
Duke folur për kapitalin njerëzor dhe përshtatjen e aftësive për transformimin dixhital dhe qeverinë elektronike, për të gjitha segmentet sektoriale dhe pozicionimin konkurrues, financimin sektorial, për integrimin ndërkombëtar, aksesin në tregje dhe gatishmërinë për eksport e të kuptojmë se si këtë ndërveprim ta ngremë në një nivel të një komunikimi konstant, kur të mos i mbetet rastësisë. Ne kemi filluar të kuptojmë se si mund të bëhemi partnerë të drejtëpërdrejtë me ju.
Kryeministri propozoi edhe ngritjen e një forumi që do të bënte bashkë, të paktën tre herë në vit, qeverinë dhe përfaqësuesit e këtij sektori.
Dua të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe çfarë mund të bëjmë më shumë. Mendoj se vlen të kemi një Këshill, një hapësirë, forum, ku të mblidhemi të paktën tre herë në vit, për të diskutuar mbi çështjet dhe të rejat e 4 mujorit të mëparshëm.
Qëllimi nga ana jonë është që t’ua vëmë në dispozicion qeverinë, në aspektin e mundësive që mund të kemi, në aspektin e “kavies” që mund të jemi për ju. Nëse duam që të bëjmë progres duke i dhënë vetes gjithmonë e më shumë mundësi përmes Inteligjencës Artificiale duhet të kemi një ndërveprim ku ju të keni mundësi të keni sa më shumë të dhëna.