Kryeministri Edi Rama tha sot se “Shqipëria fiton, vetëm nëse vendin e qeveris Partia Socialiste”. Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët në rubrikën “Sy m’Sy”, shefi i qeverisë u shpreh se janë trefishuar të ardhurat për frymë e se edhe pagat kanë shënuar rritje.
Ndërkaq, dha lajmin se u miratua për t’u hapur një tjetër grup kapitull negociatash me Bashkimin Europian. Teksa dha lajmin se vendi ynë ka hapur një tjetër grupkapitull në tryezën e negociatave për anëtarësimin në BE, kryeministri vuri në dukje se aktualisht janë hapur 24 nga 35 grupkapituj në total.
Po ashtu, Rama shprehu besimin se nëse merr një “mbështetje të fuqishme popullore në zgjedhjet e 11 Majit”, Shqipëria mund të hapë të gjithë kapitujt e mbetur brenda vitit, duke vendosur një rekord europian në procesin e integrimit.
Dje kur po shkoja në Fier, mora lajmin se grupkapitulli tjetër i negociatave u aprovua për t’u hapur. Pra, kemi hapur 16, hapim edhe 8 të tjerë tani, që bëjnë 24. Mbeten edhe 11 për t’u hapur e kam besim dhe shpresoj e uroj që me fuqinë e re të 11 Majit të hapim edhe 11 të tjera brenda këtij viti. Do të ishte një rekord europian se asnjë vend nuk i ka hapur të gjithë kapitujt në një vit dhe asnjë tjetër me afat në tre vjet. Fati europian është në duart tona, u shpreh Rama.
Në vijim të komunikimit në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama theksoi edhe se fitorja në zgjedhje nuk ka të bëjë vetëm me pushtetin politik, por me fatin europian të Shqipërisë.
Çështja e fitimit nuk është vetëm për karrigen time, por çështja është për të fituar Shqipërinë dhe Shqipëria fiton vetëm me mua dhe Partinë Socialiste. Që do të fitojmë nuk ka diskutim, por sa do të fitojmë? Çfarë fuqie do të na japë populli shqiptar? A do të jetë një mbështetje popullore më e madhe se kjo që kemi sot? Nëse ne fitojmë aq sa kemi sot, ne kemi fituar zgjedhjet, por nuk kemi marrë një fuqi më të madhe. Çdo gjë mbi këtë është një fuqi e shtuar e Shqipërisë pasi ne jemi duke kërkuar mbështetje për Shqipërinë 2030 në BE, tha Rama.