Në një intervistë për BBC-në, kryeministri Edi Rama foli për tensionet në veri të Kosovës ku serbët kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok. Rama tha se falë Albin Kurtit e Aleksander Vuçiçit, tashmë Serbia dhe Kosova janë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike.
I pyetur mbi situatën, shefi i qeverisë u shpreh se së pari është provokuar nga serbët, të cilët braktisën institucionet duke krijuar një vakuum e së dyti nga autoritetet e Kosovës, që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh.
Ka një situatë shqetësuese në veri të Kosovës, po nuk do ta vija shumë theksin te rreziku. Le të themi se kjo situatë është provokuar së pari nga serbët, të cilët braktisën institucionet, duke krijuar praktikisht një vakum dhe së dyti, nga autoritetet e Kosovës që këmbëngulën për vendosjen e këtyre kryetarëve në ndërtesa bosh, ku shumica e popullsisë është kryesisht serbe. Sa për ta sqaruar, zhvillimi i zgjedhjeve ishte gjë shumë e mirë për të treguar se askush nuk mund të marrë peng procesin demokratik në Republikën e pavarur të Kosovës, por nuk ishte ide e mirë që më pas, të këmbëngulej që këta katër kryetarë të hynin në ndërtesat bosh nën mbrojtjen e policisë, që solli ndërhyrjen e KFOR-it dhe plagosjen e padrejtë të ushtarëve të KFOR-it.
I pyetur se nëse me këtë deklaratë po ia drejtonte gishtin si fajtor Albin Kurtit, Rama tha se Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiçit janë tanimë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike.
Nuk jam këtu për të fajësuar, po përpiqem thjesht t’i përgjigjem pyetjes suaj, ndërkohë që mendoj se tabloja e gjerë është shumë më optimiste pasi Serbia dhe Kosova, falë Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiçit, tanimë janë në pikën më të afërt për arritjen e një marrëveshjeje historike. Besoj po ashtu se fakti që marrëveshja është kaq pranë, mbështetur në të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, me rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë, i ka dëshpëruar njëfarësoj të dy. Eshtë njësoj si një çift në dyert e kishës përpara se të martohen, që i vijnë dyshime, por mendoj se do të jetë…
Ndërsa pyetjes se a mendonte se do të ketë marrëveshje, Rama iu përgjigj se dy palët duhet të ulen, të arrijnë një marrëveshje dhe ta zbatojnë atë.
Mendoj se nuk ka asnjë shans në botë, siç do thoshte dikush… apo siç do thoshte ndonjëherë Shtëpia e Bardhë, që kjo marrëveshje të mos bëhet. Pyetja e vetme është “kur?”. Ishim të gjithë udhëheqësit në Komunitetin Politik Europian në Moldavi dhe të gjithë kishin bindje të patundur, sidomos presidenti francez dhe kancelari gjerman se të dyja palët dhe Aleksander Vuçiç e Albin Kurti duhet të ulen njëherë e mirë dhe të arrijnë marrëveshjen dhe ta zbatojnë atë.
BBC-ja kërkoi një opinion të kryeministrit Rama edhe mbi deklaratën e Albin Kurtit, i cili është shprehur se Perëndimi po e mban me të mirë Serbinë dhe se reagimi nga SHBA-të e Mbretëria e Bashkuar kanë qenë një trysni e tepruar mbi Kosovën.
Më vjen keq ta them, por kam saktësisht të njëjtin mendim dhe jo për shkak të ndonjë pozite servilizmi, por sepse kam bindjen se SHBA-të dhe BE-ja kanë tërësisht të drejtë e Albini e ka gabim këtu sepse nuk po përpiqen ta mbajnë Serbinë me të mirë, po përpiqen që më në fund ta çojnë Kosovën në një tjetër nivel që do të thotë, në një shtet që njihet nga të gjithë, një shtet që mund të zërë një vend në Kombet e Bashkuara dhe në shumë institucione të tjera, ku mungon.
Rama u përgjigj edhe lidhur me agresionin nga pala serbe mbi ushtarët e NATO-s.
Po është e vërtetë e nuk ka si të mohohet, por nga ana tjetër është po ashtu e vërtetë që dërgimi i këtyre kryetarëve të komunave kundër këshillës së mirë të gjithkujt dhe kur them gjithkujt, e kam fjalën për miqtë e partnerët e mëdhenj të Kosovës, pa të cilët Kosova nuk do të ishte ajo që është sot ishte një hap më i tepërt se ç’duhej. Thënë kjo, mendoj se Serbia ka reshtur së qeni rrezik për Kosovën që prej vitit 1999 e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën që në vitin 1999 dhe tani është koha për paqe. Eshtë koha për normalizim. Eshtë koha për t’u ulur. Eshtë koha për të pranuar dhe për t’i dhënë Serbisë atë që ka qenë më parë në marrëveshje, që do të thotë Asociacionin e Komunave me popullsi serbe dhe të drejtën e Kishës Ortodokse Serbe që të ketë aktivitetin e saj brenda Kosovës e nga ana tjetër, Serbia duhet të heqë dorë dhe të kuptojë që Kosova ka ikur dhe të pranojë njohjen e ndërsjellë.