Aktualitet Politikë

Rama: Sot bëhet konfiskimi i një pallati në Vlorë!

Sot në takimin me deputetë të Tiranës e drejtorë të bashkisë, si dhe drejtues politikë socialistë të qarqeve, kryeministri Edi Rama njoftoi se do të bëhet konfiskimi i një pallati në Vlorë që siç u shpreh, “është në shkelje të ligjit”.

Sot do të bëhet një konfiskim i një pallati në Vlorë që është në shkelje. Ky proces synon që të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028-ës, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllime fitimi do të rrafshohen. Nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe asnjë ndalim në këtë proces.

Ndërkaq, Rama hodhi poshtë aludimet se pas shembjeve në Theth, fshihet plani për ndërtimin e resorteve:

Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime e për të bërë resorte turistike. Eshtë jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuara në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje me të vërtetën e kësaj historie. Ne do vazhdojmë t’i mbështesim të gjithë ata njerëz që kanë prona nëpër male. Madje kemi bërë edhe Paketën e Maleve.

Ne nuk kemi prerë në besë askënd. Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë e Kadastrës e që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjitha shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata disponojnë. Pra, premtimi ynë ka qenë që do të legalizojmë pronën e gjyshërve.

Nuk kemi premtuar në asnjë cep të Shqipërisë: na jepni votën dhe ndërtoni pa leje! Të gjitha këto ndërtime që janë prishur janë ndërtime të bëra në muajt e fundit. Jo ndërtime të kohës kur kemi qenë aty. Ka pasur një turravrap të madh në Theth dhe e përsëris jo vetëm nga disa prej banorëve, por edhe nga ata që nuk kanë lidhje fare me Thethin, që janë ngjitur atje lart për të ndërtuar.