Kryeministri Edi Rama reagoi sërish për situatën në Theth, ku po prishen ndërtimet pa leje. Në mbledhjen me deputetë e drejtorë të bashkisë në Tiranë, u shpreh se shumica e atyre që ndërtuan pa leje për qëllime fitimi, nuk janë banorë vendas. Ndërkaq, Rama vuri në dukje se Policia e Shtetit po vijon hetimet, se “kush qëndron pas pushtimit kriminal të qendrës së Thethit”. Në mbledhje janë të pranishëm edhe drejtues politikë të qarqeve.
Dua të ndalem një moment te çështja e Thethit për të adresuar disa këndvështrime që, sipas meje, meritojnë të sqarohen. Këtu nuk bëhet fjalë për disa njerëz të shkretë, që kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar. Në shumë prej rasteve, nuk kemi të bëjmë as me banorë të zonës.
Shefi i qeverisë theksoi se në rastin më flagrant që bëri bujë mediatike, ai i kabinave të drurit të stacionuara para kishës historike të Thethit, individët që ndërtuan nuk janë shfaqur as për të pretenduar ndonjë të drejtë.
Policia e Shtetit po merret me hetimin e asaj që është një pushtim kriminal i qendrës së Thethit, që është zemra dhe kartolina e njohur e këtij fshati turistik. Janë ndërtuar objekte që nuk janë për të futur kokën, por për qëllime fitimi.
Te debatet publike mbi aksionin e IKMT-së, kryeministri vuri në dukje se po tentohet të zhvendoset përgjegjësia te institucionet shtetërore që nuk e kanë parandaluar ndërtimin pa leje.
Nuk mund të ketë një teori që amniston shkelësit e ligjit, duke ia hedhur fajin shtetit pse nuk i ka ndaluar më herët. Sigurisht që edhe strukturat e shtetit kanë përgjegjësi dhe ajo përgjegjësi është marrë përsipër, por kjo nuk i justifikon shkeljet flagrante.
Shefi i qeverisë u shpreh i vendosur se qasja e qeverisë do të jetë e njëjtë edhe në të ardhmen, për të mbrojtur zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë natyrore e kulturore të vendit.
Në Theth janë goditur 40 subjekte, që në një sërë rastesh kanë pasur nga dy dhe nga tre ndërtime. Policia e Shtetit ka një numër të konsiderueshëm denoncimesh të bëra në Prokurori dhe s’ka ndërmarrë asnjë veprim. Gjithsesi, policia e ka marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, ashtu sikundër Bashkia e Shkodrës lidhur me IMT-në.
Ka edhe një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift. U habita si një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori, duke folur për joshje e rrena dhe më pas i premë në besë. Ne nuk kemi prerë në besë askënd.
Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë, me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe me Agjencinë e Kadastrës e që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që disponojnë. Pra, premtimi ynë ka qenë që do të legalizojmë pronën e gjyshërve.
Nuk kemi premtuar në asnjë cep të Shqipërisë: na jepni votën dhe ndërtoni pa leje! Të gjitha këto ndërtime që janë prishur janë ndërtime të bëra në muajt e fundit. Jo ndërtime të kohës kur kemi qenë aty. Ka pasur një turravrap të madh në Theth dhe e përsëris jo vetëm nga disa prej banorëve, por edhe nga ata që nuk kanë lidhje fare me Thethin, që janë ngjitur atje lart për të ndërtuar.