Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas njoftimit zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë lidhur me mosvënien në dispozicion të anëtarëve të Këshillit të Mandateve të materialeve hetimore të SPAK, që lidhen me deputeten Belinda Balluku.
Në një deklaratë publike, Bardhi akuzon drejtuesin e seancës, Niko Peleshi, se ka shkelur ligjin duke mos u shpërndarë deputetëve USB-në me provat e Prokurorisë së Posaçme, duke i mbajtur ato të mbyllura në kasafortën e Kuvendit.
“Niko, e ke gabim! Nuk e mbyll më dot në kasafortë korrupsionin e Edi Ramës! Është sheshit, në çdo punë publike”, shprehet Bardhi, duke theksuar se SPAK ka detyrimin ligjor që relacionin dhe provat shoqëruese t’i vërë në dispozicion të anëtarëve të Këshillit të Mandateve dhe deputetes së marrë të pandehur, për t’u përgatitur për vendimmarrjen.
Sipas Bardhit, për zbatimin e ligjit nuk ka nevojë të pyetet as SPAK dhe as Kryeministri Rama, por Kuvendi duhet të veprojë menjëherë duke u dorëzuar deputetëve dokumentacionin e plotë, përfshirë provat dhe urdhrin e prokurorit të datës 16.12.2025.
Reagimi i Bardhit vjen pasi Kuvendi i Shqipërisë sqaroi zyrtarisht se materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet i depozituar në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve.
Në njoftimin zyrtar, Kuvendi thekson se administrata u ka vënë në dispozicion anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin aktet procedurale përkatëse, si dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, ndërsa çështja e mënyrës së njohjes me materialet do të diskutohet në një mbledhje të posaçme të këtij Këshilli, në prani të një prokurori të SPAK-ut.
Ndërkohë, Bardhi insiston se mbajtja e provave në kasafortë përbën pengim të procesit parlamentar dhe tentativë për të mbrojtur korrupsionin, duke paralajmëruar se opozita nuk do ta lejojë mbylljen e çështjes pa transparencë dhe zbatim të ligjit.