Real Madrid po përgatit një skuadër të fuqishme për sezonin e ardhshëm nën drejtimin e trajnerit të ri, Xabi Alonso. Klubi spanjoll ka filluar të lëvizë fuqishëm si në merkato, ashtu edhe në rinovimet e kontratave për lojtarët kryesorë të ekipit.
Trent Alexander-Arnold i është bashkuar madrilenëve si lojtar i lirë pas largimit nga Liverpool, ndërsa Dean Huijsen ka mbërritur nga Bournemouth për një shumë prej 50 milionë eurosh.
Gjithashtu, Alvaro Carreras dhe Franco Mastantuono janë zyrtarizuar si prurje të reja në radhët e “Los Blancos”.
Përveç afrimeve, drejtuesit e klubit janë duke punuar për të garantuar stabilitetin e skuadrës përmes rinovimeve të rëndësishme. Pas largimit të Luka Modric, i cili nuk pranoi të zgjasë kontratën, pritet që Alonso të caktojë një kapiten të ri dhe të gjejë një figurë udhëheqëse në fushë.
Një nga emrat që përflitet si kandidat për këtë rol është portieri belg Thibaut Courtois, i cili ndodhet në sezonin e tij të shtatë me Real Madrid që nga transferimi nga Chelsea në vitin 2018.
Kontrata e tij aktuale skadon në verën e vitit 2026, por sipas burimeve spanjolle, drejtuesit e klubit janë të vendosur ta mbajnë atë më gjatë.
Tradicionalisht, Real Madrid nuk i ofron kontrata më të gjata se një vit lojtarëve mbi 30 vjeç. Ky rregull nuk është thyer që nga viti 2016, kur Cristiano Ronaldo nënshkroi një marrëveshje të veçantë.
Megjithatë, sipas raportimeve nga “Relevo”, klubi është i gatshëm të bëjë një përjashtim për Courtois duke i ofruar një kontratë dyvjeçare, e cila do ta mbante në Madrid deri në verën e vitit 2028, kur ai do të ishte 36 vjeç.
Ky vendim sinjalizon besimin e plotë që Real Madrid ka te portieri belg, si dhe dëshirën për të ndërtuar një ekip të qëndrueshëm dhe konkurrues nën drejtimin e Alonso-s.