Bad Bunny ka shkruar historinë në “Apple Music Super Bowl Halftime Show 2026”, duke u bërë artisti i parë që realizon të gjithë performancën në gjuhën spanjolle. Spektakli i tij u kthye menjëherë në një nga më të komentuarit e të gjitha kohërave, ndërsa detajet nga prapaskenat zbuluan përgatitje intensive dhe momente plot tension.
Regjisori i eventit, Hamish Hamilton, e cilësoi projektin si një ndër më sfiduesit në karrierën e tij, duke theksuar se ylli porto-rikan kishte një vizion shumë të qartë dhe këmbëngulte që çdo element të realizohej sipas dëshirës së tij.
Madje, në një nga momentet më të rrezikshme të natës, Bad Bunny refuzoi të përdorte rrip sigurie, pavarësisht rekomandimeve të ekipit.
Artisti u ngjit në një shtyllë të lartë, pa mbrojtje anësore, ndërkohë që pajisjet e sigurisë qëndronin në gatishmëri. Vendimi i tij shkaktoi shqetësime ligjore për produksionin, por nga ana tjetër krijoi mundësinë për pamje unike filmike, pasi kamera u vendos direkt në strukturë për ta ndjekur nga afër.
Drejtoresha kreative, Harriet Cuddeford, bëri të ditur se këngëtari i realizoi vetë të gjitha akrobacitë, duke i mësuar me shpejtësi dhe profesionalizëm. Edhe pse provat u shoqëruan me tension, në natën finale ai u ngjit me vetëbesim dhe performoi live pa asnjë lëkundje.
Një tjetër moment që elektrizoi publikun ishte “rënia” spektakolare përmes çatisë së “La Casita”, e cila në fakt ishte një efekt i kontrolluar me kujdes teknik.
Në skenë iu bashkuan emra të mëdhenj si Pedro Pascal, Cardi B, Jessica Alba, Karol G dhe Young Miko, ndërsa surpriza e mbrëmjes erdhi me paraqitjen e Lady Gaga dhe Ricky Martin, duke e shndërruar show-n në një festë madhështore të kulturës latine.