Bota

Rikonfirmim surprizë në Francë, Lecornu riemërohet kryeministër nga Macron!

Presidenti francez, Emmanuel Macron riemëroi në mënyrë të papritur Sébastien Lecornu si kryeministër. Njoftimi u dha nga Pallati Elize. Pas një jave drame politike, Franca është kthyer në pikën zero.

Unë pranoj, si çështje detyre, misionin që më është besuar nga Presidenti i Republikës për të bërë gjithçka që është e mundur për t’i siguruar Francës një buxhet deri në fund të vitit dhe për të adresuar problemet e përditshme të bashkëqytetarëve tanë, shkroi Lecornu në një mesazh në X.

Do të bëj gjithçka që mundem për të pasur sukses në këtë mision: ne duhet t’i japim fund kësaj krize politike, e cila po e acaron popullin francez, si dhe kësaj paqëndrueshmërie, e cila po dëmton imazhin e interesat e Francës.

Burime pranë presidentit njoftuan se Macron i ka dhënë “carte blanche” kryeministrit, për negociata me partitë dhe mbi propozimet e emërimeve. Njoftimi për riemërimin e Lecornu-së u bë dje rreth orës 22:00 të mbrëmjes. Kjo ishte pikërisht në fund të afatit 48-orësh që Emmanuel Macron i vuri vetes për të emëruar një kryeministër të ri, pas negociatave përfundimtare me aleatët.

Më herët, burime pranë kreut të shtetit kishin folur për ekzistencën e një “rruge të mundshme për të gjetur kompromise e për të shmangur shpërbërjen” e Parlamentit.

Mbi këtë bazë, (presidenti) do të marrë përsipër përgjegjësitë e tij duke emëruar një kryeministër, theksuan burimet.

Reagime politike:

Burri që më pak se një javë më parë i paraqiti dorëheqjen presidentit, tani po kthehet në rezidencën e kryeministrit, por rruga përpara mbetet e vështirë. Një turp demokratik, një poshtërim, u shpreh me zë të lartë presidenti i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, duke njoftuar mocionin e tij të mosbesimit ndaj qeverisë së re.

Për Marine Le Pen, “mocioni i mosbesimit është i detyrueshëm dhe shpërbërja (e Asamblesë Kombëtare) është më e pashmangshme se kurrë”.

Një mocion mosbesimi u njoftua edhe nga partia France Insoumise, e cila po bën përsëri thirrje për dorëheqjen e Macronit. Lideri Jean-Luc Mélenchon, e quan atë një “komedi qesharake”, ndërsa zëdhënësi socialist siguron se “nuk ka asnjë marrëveshje” për momentin, me të emëruarin e ri si kryeministër.