Edhe pse në pension profesor Dhimitër Kraja ishte ndër të parët që i’u përgjigj thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë për të ndihmuar në situatën e vështirë që përfshiu edhe Shqipërinë nga Koronavirusi i ri.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ministrja Ogerta Manastirliu konfirmoi mbrëmjen e kaluar se mjeku Dhimitër Kraja është prekur nga Covid-19. Ajo njoftoi se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme dhe në monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.
“Pesha e viteve nuk e pengoi Prof. Dhimitër Krajën për t’u rikthyer në spitalin infektiv, aty ku ka kaluar 48 vite të jetës së tij, për t’i dhënë një dorë stafit të palodhur të këtij spitali në këto ditë të vështira! I rrallë e modest si pakkush, Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, po përballet vetë në këto momente, me sëmundjen që aq shumë donte ta luftonte! Gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi”, -shkruan Manastirliu.