Benzhamën Pavar po vrapon drejt finales së Ligës së Kampionëve. Plani është ndjekur sipas parashikimeve. Dje, gjatë seancës stërvitore të hapur për mediat në “Apiano”, francezi është rikthyer në grup dhe ka marrë pjesë pa asnjë problem në lojërat me fushë të reduktuar.
Fjala kyçe është: intensitet. Pavar është gjithmonë konsideruar si titullar në rolin e mbrojtësit të djathtë në një linjë me tre, por këtë sezon ka pasur disa probleme fizike më shumë. Ka munguar në të dyja ndeshjet kundër Barcelonës për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës, të pësuar kundër Romës, si dhe në katër ndeshjet e fundit të kampionatit, ku ka qenë në stol vetëm kundër Lacios.
LEXO EDHE: Të shtunën me Interin për një rekord, Kristjan Asllani mund të jetë i pari nga Kombëtarja që…
Ndeshja e fundit e tij ishte më 27 prill, në shtëpi ndaj Romës. Inzagi do ta ketë sërish në dispozicion më shumë se një muaj më pas, më 31, për ta aktivizuar në formacionin titullar. Për Pavar, kjo do të jetë një sfidë e veçantë. Në “Allianz Arena”, stadiumi i Bajernit të Mynihut, ai ka luajtur për katër vite dhe ka fituar 11 trofe, përfshirë “Tripletën” e vitit 2020.
Në palmaresin e tij numëron: 4 kampionate gjermane, 1 Kupë të Gjermanisë, 3 Superkupa gjermane, 1 Ligë Kampionësh, 1 Kupë Bote për Klube dhe 1 Superkupë Europe. Në vitin 2020, ai e ka fituar Ligën e Kampionëve pikërisht pas një fitoreje në finale kundër PSG-së.