Aktualitet

Rinis operacioni i shembjeve në bregdet, Çuçi: Jo më zaptime pa leje!

Dy objekte pa leje u shembën sot në Dhërmi. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi paralajmëroi se operacioni i cili u ndërpre për shkak të sezonit turistik do të vijojë në gjithë zonën bregdetare.

“Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush,” – u shpreh ministri ndërsa solli në vëmendje se “Bregdeti Ynë” është një punë e vazhdueshme e  Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë” që nisi në muajin qershor u shembën mbi 130 ndërtime pa leje, u vendosën rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, si dhe u arrestuan e u ndoqën penalisht dhjetëra persona.

Operacioni “Bregdeti ynë” synon pastrimin e vijës bregdetare nga ndërtimet pa leje.

Pas evidentimit të këtyre ndërtimeve, strukturat shtetërore kanë njoftuar subjektet përkatëse. Paralel me lajmërimet e subjekteve aksioni është koordinuar edhe me zyrën e legalizimeve për t’i prerë rrugën e legalizimit të gjitha objekteve të evidentuara.

Operacioni do të vijojë edhe me ato ndërtime pa leje që janë të palegalizueshme për shkak të natyrës që kanë.