Aktualitet Politikë Rajoni

“Rinovimi i shtëpisë së aleatit të nazizmit në Kosovë shkakton zemërim”/ Reuters i bën jehonë debatit mbi Xhafer Devën

Debati i ngritur në Kosovë për restaurimin e banesës së Xhafer Devës ka tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha botërore.

Agjencia e lajmeve Reuters, e ka titulluar lajmin “Rinovimi i shtëpisë së aleatit të nazizmit në Kosovë shkakton zemërim”.

Në artikull theksohet se një dëshmitar i tyre ka gjetur tri rrugë të emëruar me emrin e Xhafer Devës, përfshirë një në Prishtinë disa qindra metra nga ambasada gjermane.

Reuters shkruan se renovimi i shtëpisë në Kosovë që i përkiste ministrit të qeverisë pro-naziste gjatë luftës së dytë botërore ka nxitur reagime nga Gjermania e cila paralajmëroi për “mbulim” të historisë si dhe për pezullimin e projektit nga BE-ja dhe UNDP.

“Shtëpia tre katëshe në Mitrovicë e ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektët austriakë ishte shtëpia e Xhafer Devës i cili shërbeu si ministër i Brendshëm në qeverinë pro-gjermane më 1943 dhe 1944” thuhet ndër të tjera në lajmin e agjencisë Reuters.

Reuters vijon se gjatë kohës sa Deva ishte ministër, Kosova konsiderohej nga Gjermania si pjesë e Shqipërisë.

Historianët thonë se njësitë luftarake të Devës, të cilët i shihnin nazistës si aleatë për të luftuar komunistët kryen mizori përfshirë masakrën e simpatizantëve të dyshuar si anti-fashistë. Disa hulumtime të fundit thonë se Deva megjithatë mund të ketë ndihmuar hebrenjtë.

“Ai është një kriminel lufte, ai ka kryer krime kundër kundërshtarëve të tij politikë, por personalisht ai kurrë nuk ka pranuar të dorëzojë listat e hebrenjve të Kosovës pavarësisht këmbënguljes së autoriteteve naziste,” thotë Durim Abdullahu, profesor i historisë në Universitetin Shtetëror të Prishtinës, shkruan Reuters.

Pas luftës, Deva u largua nga Kosova. Ai jetoi në disa vende evropiane përpara se të vendosej në Kaliforni, ku vdiq në vitin 1978.

Kujtojmë se pezullimi i restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës erdhi pas debatit të ngritur ditëve të fundit, ku ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde e ka cilësuar Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.

Ministri Çeku tha se projekti ka për qëllim restaurimin e monumentit dhe jo që të “rehabilitohet historia e Xhafer Devës”, duke shtuar se Kosova është e gatshme të përballet me të kaluarën.

Xhafer Deva ka qenë politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Më 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.

Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.

Shtëpia Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.