Gossip

Roli që e ‘thyen’ nga brenda… Michael B. Jordan rrëfen pse iu drejtua terapisë?

Aktori i njohur amerikan Michael B. Jordan ka bërë një rrëfim të sinqertë për pasojat emocionale që pati një nga rolet më të rëndësishme të karrierës së tij.

Pas interpretimit të Erik Killmonger në filmin blockbuster të vitit 2018, Black Panther, Jordan pranon se u detyrua t’i drejtohej terapisë për të përballuar ngarkesën psikologjike që la pas personazhi.

Në një intervistë për CBS Sunday Morning, aktori 38-vjeçar tregoi se roli i Killmonger – antagonisti kompleks i historisë, mercenar i Black Ops dhe kushëri i T’Challa-s, personazhit të interpretuar nga i ndjeri Chadwick Boseman, e ndikoi thellë edhe pas përfundimit të xhirimeve.

Në film, Killmonger tenton të marrë kontrollin e Wakanda-s, por përfundon i mposhtur dhe i vdekur, një fund që, sipas Jordan, nuk ishte i lehtë për t’u “lënë pas”.

Më mbeti në mendje për një kohë. E ndjeva që nuk po shkëputesha dot emocionalisht nga personazhi

-rrëfeu aktori.

Ai pranoi se terapia e ndihmoi të kuptonte se kishte ende për të mësuar mbi mënyrën se si të çlirohej nga rolet intensive.

Shkova në terapi dhe fola për këtë. Në atë moment po mësoja ende se si të çlodhesha nga personazhi

-u shpreh ai.

Sipas Michael B. Jordan, ky proces nuk mbeti vetëm te përballimi i pasojave të Killmonger-it, por u shndërrua në një udhëtim më të thellë vetëzbulimi.

U zhvillua në një bisedë shumë më të gjerë dhe reflektim personal

-tha ai.

Sot, aktori e konsideron terapinë një mjet thelbësor për mirëqenien mendore dhe nuk heziton ta rekomandojë publikisht, sidomos për burrat.

Është shumë e rëndësishme që burrat të flasin. Nuk është diçka për të cilën duhet të kesh turp. Përkundrazi, jam krenar për këtë

-theksoi Jordan, duke shtuar se terapia e ka ndihmuar të bëhet një komunikues më i mirë dhe një person më i balancuar, si në jetën profesionale ashtu edhe në atë personale.