Aktualitet Politikë

Rrahman Rraja dorëzoi mandatin e deputetit, vendin e tij e merr Arkend Balla!

Zyrtarisht, Rrahman Rraja dorëzon dorëheqjen si deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë. Rraja njoftoi dorëheqjen të shtunën, pas ngjarjes së rëndë në Krujë, ku vëllezërit dhe djali i tij, bashkë me të tjerë, dhunuan barbarisht dy kushërinjtë Maja, pasi ishin ankuar për shpërthimet në guroren e Përparim Rrajës. Tashmë, mandati i kalon Arkend Ballës.

Sot kryeministri Rama do t’i dorëzojë presidentit Begaj propozimet për ndryshimin e fundit në qeveri, pasi dy ditë më parë shkarkoi Bledi Çuçin si ministër të Brendshëm. Taulant Balla në vend të tij, për herë të parë në një post qeveritar. Tashmë duhet të vendoset dhe emri që do ta zëvendësojë në krye të grupit parlamentar socialist.

Kjo pas ngjarjes së rëndë me guroren e Rrajave në Borizanë të Krujës dhe që çoi në dhunimin e dy kushërinjve që ishin ankuar për dëmet e shkaktuara prej gurores.

Dje, Gjykata e Tiranës la në burg tre nga katër të arrestuarit për goditjet me sende të forta e kërcënimet me armë zjarri ndaj kushërinjve Jashar e Bilbil Maja, që ishin ankuar për aktivitetin e gurores, në pronësi të të afërmve të Rrahman Rrajës.

Pas hekurave mbetën Ineid e Andi Rraja, si dhe Eni Kulla, ndërsa për pronarin e lokalit, shtetasin Kujtim Përdaku u vendos masa “Detyrim për paraqitje”. Mbi ta rëndojnë akuzat për veprat penale: “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Policia doli me një njoftim zyrtar për bllokimin e aktivitetit në guroren e Rrajave në fshatin Borizanë të njësisë administrative Thumanë në Bashkinë Krujë. Për shpërthimet në të, vazhdimisht ka patur ankesa e protesta nga banorë të zonës, për faktin se u ka dëmtuar banesat. Këto ankesa u bënë shkak për dhunën barbare.

Përveç kontrollit në guroren e Rrajave në Borizanë, u bë këqyrja e nëntë banesave, që dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i saj. Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis gurores e shtëpive.  Aktet procedurale do të referohen në Prokurorinë Tiranë.