Brenda 1 qershorit, në vendin tonë nis zbatimi i rregullave të reja për lejet e drejtimit dhe që janë ndryshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor. Këto rregulla që hyjnë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, përcaktojnë që drejtuesit e mjeteve rrugore që humbin të gjitha pikët e lejes së drejtimit, ose që u hiqet leja e drejtimit për shkelje të rënda e të përsëritura do t’i nënshtrohen kursit nga e para në autoshkollë, e pastaj do të paraqiten për testim teorie dhe praktike pranë DPSHTRR-së.
Tashmë kalohet direkt nga kategoria B në kategorinë D1 (mbi 21 vjeç) për leje drejtimi për mjete deri 15+1 vende si dhe të drejtë dëshmie taksisti, dhe në kategorinë D (mbi 24 vjeç) pa kaluar më detyrimisht kategoritë C1, C. Gjithashtu në vijim kalohet nga kategoritë C te D e anasjelltas në çdo rast.
Po ashtu, njihet e drejta për ndihmë të specializuar, nga DPSHTRR ose ekspertë të zyrtarizuar, me zë/lexim apo gjuhë shenjash, për aplikantët për leje drejtimi me aftësi të kufizuara leximi ose dëgjimi që hyjnë në testime teorie e praktike!
Nëse ke kategorinë B dhe je mbi 24 vjeç, kalohet direkt për kategorinë e lejes së drejtimit A (motomjet), pa kaluar më nga kategoritë A1, A2. Shtohet testi i praktikës për ciklomotorat, kategoria AM (deri 50 cc, jo mbi 45 km/h) si kërkesë e direktivave EU dhe e marrëveshjeve të njohjeve dhe konvertimit.
Institucionalizohet përcaktimi i një kostoje dysheme për kurset në autoshkolla që do të zyrtarizohet çdo fundvit si referencë e detyrueshme, pas një koordinimi zyrtar mes DPSHTRR-së, DPT-së dhe përfaqësuesve të autoshkollave.
Njëherazi, DPSHTRR do të kryejë unifikimin dhe miratimin e materialeve didaktike, manualeve të përgatitjes teorike e praktike, fizike e virtuale, si dhe disiplinimin e lejes së aktivitetit për hapjen e autoshkollave të reja në rang bashkie apo qarku sipas numrit të popullsisë. Gjithashtu, forcim i rolit dhe përgjegjësisë së drejtuesit teknik të autoshkollës, ulje e moshës së mjeteve që i shtohen në vijim flotës së autoshkollimit.