Aktualitet

Aksident në Librazhd-Elbasan, humb jetën një 45-vjeçar!

Aksident rrugor fatal në aksin Librazhd-Elbasan, në fshatin Labinot. Rreth mesnate, një motomjet i drejtuar nga shtetasi A. K., 45 vjeç, doli nga rruga në rrethana ende të paqarta.

Për pasojë, drejtuesi i mjetit është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në motomjet udhëtonte edhe bashkëshortja e tij, shtetasja F.K., e cila ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje shkoi grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.

Ky nuk është i vetmi aksident i rëndë që përgjak rrugët tona, orët e fundit. Një tjetër i mori jetën një babai dhe vajzës së tij në Lezhë.

Ngjarja fatale u shënua në aksin dytësor Lezhë-Kakarriq, kur automjeti me të cilin udhëtonin dyshohet se doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur në një kanal anësor, duke u zbuluar me vonesë, pasi u konstatua vetëm në orët e vona të mbrëmjes.

Alarmin e dhanë familjarët, që të shqetësuar për humbjen e kontakteve nisën kërkimet e njoftuan policinë.