Aktualitet

Rrëshqitje dherash në Librazhd-Pogradec, ndalohen mjetet e tonazhit të rëndë e autobusët!

Te vendi i quajtur “Arrat e Gurrës”, në aksin rrugor Librazhd-Pogradec, situata është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Pas vlerësimit në terren e në koordinim me Policinë e Shtetit, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), njofton se për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe i autobusëve në këtë segment, ndalohet deri në një njoftim të dytë.

Sipas ARRSH-së, masa është marrë për të parandaluar rreziqet e mundshme për drejtuesit e mjeteve e për të garantuar sigurinë e jetës së përdoruesve të rrugës.

Autoritetet iu bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe operatorëve të transportit, të shmangin këtë aks e të përdorin rrugë alternative deri në stabilizimin e plotë të gjendjes.

ARRSH-ja kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, duke theksuar se “çdo masë e ndërmarrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë, si edhe parandalimin e incidenteve të mundshme”.