Aktualitet

Rreth 22 mijë të huaj në Shqipëri, 54% janë për punë/Kryesojnë India e Italia, rritet Afrika!

Gjeografia e shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri për të punuar, bashkim familjar apo arsye të tjera sa vjen e po zgjerohet. INSTAT-i raportoi se shtetasit nga India dhe Italia kanë pasur numrin më të madh të aplikimeve për leje qëndrimi më 2024-ën. Rritje shënuan dhe Amerika, Afrika e Oqeania.

Në fund të vitit 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.940, duke pësuar rritje me 2,2 %, krahasuar me vitin 2023, raportoi INSTAT. Nga këta gati 12 mijë janë për të punuar. 61,9% e të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt, kundrejt femrave me 38,1%. Grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30-39 vjeç, me 24,6 % të të huajve gjithsej.

Sipas INSTAT-it, numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2024 shënoi rritje prej 6,0%, krahasuar me vitin 2023. Shtetasit nga Italia dhe India përbëjnë 28,8% të aplikimeve.

Europa zë pjesën më të madhe me 65,5% (14.367 persona me leje qëndrimi), duke shënuar një rënie prej 5,6%, krahasuar me 2023-shin. Edhe Azia ka shënuar rritje të ndjeshme me 20,1% (4.545 persona). Amerika, Afrika dhe Oqeania shënuan rritje me 23,4% (3.028 persona).

Të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri;

Punësimi është arsyeja kryesore: 54,3% e lejeve të qëndrimit ndjekur nga:
– bashkimi familjar: 24,5%;
– arsye të tjera: 16,3%;
– studimi: 4,0%;
-qëllime humanitare: 0,9%.

Më 2024-ën u identifikuan 1.540 të huaj të parregullt në territorin e Shqipërisë, duke shënuar një rënie të konsiderueshme, krahasuar me 6.630 në vitin 2023. Vitin e kaluar, të huajt me origjinë nga Kosova ishin 4.592 banorë, duke shënuar një rritje me 23,7 %, krahasuar me 2023-shin, ndërsa të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia, 3.763 banorë, rritje me 11,5%, krahasuar me 2023-shin. /Monitor