Rajoni

Rritje 15% e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë!

Reagime në Kosovë lidhur me propozimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë me 15% nga prilli. Me sloganin “Asnjë cent më shumë”, në rrjetet sociale ka nisur një fushatë për ta kundërshtuar. Kritika kanë shprehur edhe përfaqësues të partive politike.

Zyra e Rregullatorit për Energjinë (ZRRE) njoftoi se ka publikuar raportet konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU).

Sipas ZRRE-së bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%.

Raportet konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat. ZRRE-ja e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.

Në këtë kuadër, ZRRE-ja fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat e pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ e të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Komentet mund të dërgohen deri në datën 28 mars 2025.

Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energjinë Elektrike në Kosovë (ZRRE) për shtrenjtimin e çmimit të energjisë me 15% nga muaji prill, ngjalli reagime. Me sloganin “Asnjë cent më shumë”, në rrjete sociale, nisi një fushatë për të kundërshtuar propozimin e ZRRE-së, për ngritjen e çmimit. Shqetësimi erdhi edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

Ky vendim konsiderohet se është bërë pa konsulta të duhura me bizneset dhe pa një analizë të duhur për pasojat që mund të sjellë kjo rritje te prodhuesit vendës. Një ngritje e tillë e çmimit, e bën sektorin privat në Kosovë më të pafavorshëm ndaj konkurrencës që vjen nga jashtë dhe kjo mund të përcillet me pasoja të tjera, siç janë: ulja e prodhimit dhe e numrit të punëtorëve.

Kritika nga përfaqësues të partive politike. Hykmete Bajrami, anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës:

Fatura e prillit 2025 për të njëjtën sasi të energjisë do të jetë 15% më e lartë se ajo e prillit të vitit 2024 dhe kjo rritje nuk është e vetmja. Sepse me vendim të ZRRE-së, KESCO ka nisur procedurat për të detyruar të gjitha ndërmarrjet që kanë mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milion euro në vit, të dalin në treg të hapur. Pas gjithë kësaj, vendimi për ngritjen e tarifave edhe për 15% është krejt absurd, sepse: pasi bizneset e mëdha largohen nga KESCO, kërkesa për energji ulet, që logjikisht duhet të sjellë ulje të tarifave, por ZRRE-ja e abstrahon këtë fakt dhe vendos rritje tjetër të tarifave për 15%.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu:

Propozimi i ZRRE-së për rritje të tarifave të energjisë prej 15% nuk është i pranueshëm dhe rezulton i dëmshëm për qytetarët dhe bizneset. Në rast se ky propozim kalon, rritja do të jetë 130%, edhe atë, vetëm katër vitet e fundit. Çmimet e larta, pagat e njëjta, ndërkohë përsëri rritje të çmimit të rrymës. Për besë, kjo gjendje nuk guxon të tolerohet.

Oda Ekonomike e Kosovës ka kundërshtuar këtë vendim. Për sot, kryetari i saj ka paralajmëruar konferencë lidhur me shtrenjtimin dhe kalimin e bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë elektrike. Për shkak të krizës energjetike në vitin 2022 dhe rritjes së çmimit të importit të energjisë elektrike, ZRRE-ja kishte rikthyer bllok-tarifën e shtrenjtoi energjinë. Rritja e çmimit preku kryesisht ata që kanë konsumuar më shumë se 800 kilovatë.

Në vitin 2023, sërish u shtrenjtua çmimi i energjisë elektrike, pasi ZRRE-ja kishte vendosur që tarifat të ishin më të larta. Më 2024-ën, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë të datës 02.04.2024, bizneset kanë pasur ulje prej 3% të tarifave të energjisë elektrike deri në miratimin e atyre të reja më 2025-ën.