Edhe pse është një nga zonat më të ndjeshme të trupit, qafa shpesh mbetet pjesa më e neglizhuar e rutinës së kujdesit personal. Pasojat? Rrudha, palosje dhe vija që mund t’ju bëjnë të dukeni më të vjetër sesa jeni në të vërtetë.
Në botën moderne, linjat në qafë janë bërë pothuajse të pashmangshme, por ekspertët thonë se ka mënyra të thjeshta dhe natyrale për t’i parandaluar, madje edhe nga shtëpia.
Së fundmi, specialistët kanë identifikuar një problem të ri të quajtur “qafa e teknologjisë”. Orët e gjata duke parë ekranin e telefonit apo kompjuterit, me kokën e përkulur poshtë, jo vetëm që shkaktojnë dhimbje shpine, por përshpejtojnë edhe shfaqjen e rrudhave në qafë për shkak të lëvizjes së vazhdueshme dhe pozicionit të gabuar.
Një nga këshillat kryesore është të rregulloni ekranin e kompjuterit në nivelin e syve dhe të përpiqeni të mbani gjithmonë kokën drejt. Kjo lëvizje e vogël mund të bëjë një ndryshim të madh në pamjen e qafës suaj me kalimin e kohës.
Madje, ekzistojnë edhe aplikacione për Android dhe iPhone që ju japin sinjale të menjëhershme për qëndrimin e trupit.
Sa herë që pozicioni i kokës del nga norma, aplikacioni ju njofton, duke ju ndihmuar të korrigjoni qëndrimin dhe të luftoni rrudhat në mënyrë më efikase.
Ekspertët këshillojnë gjithashtu që rutina e kujdesit të fytyrës të mos ndalet te nofulla. Çdo mbrëmje, pastroni fytyrën duke përfshirë edhe zonën e qafës, përdorni një pastrues të përshtatshëm për lëkurën tuaj dhe aplikoni hidratues edhe në këtë zonë. Kjo ndihmon në rigjenerimin e lëkurës dhe në largimin e toksinave.
Një tjetër hap që shpesh harrohet është eksfolimi i qafës dhe dekoltesë. Kjo zonë është shumë delikate dhe kërkon trajtim të butë për të hequr qelizat e vdekura pa e dëmtuar lëkurën.
Mjafton ta bëni këtë një ose dy herë në javë për të ruajtur një pamje më të lëmuar dhe më të re.
Në fund, kujdesi për qafën nuk është luks, por një domosdoshmëri nëse doni që mosha të mos shfaqet më shpejt sesa duhet.