E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë Rigelda Totraj, fituesja e edicionit të gjashtë të “She’s On Top”. Ajo ka folur më shumë për eksperiencën në këtë program, përjetimet pasi doli fituese, por dhe hapat e saj të ardhshëm…
Si ka qenë kjo eksperiencë për ty?
Një eksperiencë sa e bukur, po aq e vështirë, për t’u munduar që të nxjerrësh më të mirën tënde. Nëse do ta përkufizoja rrugëtimin tim, kam treguar thjeshtësinë, qetësinë time dhe jam munduar të nxjerr në pah më të bukurën time. Absolutisht që kam qenë vetvetja, mendoj që kjo ka qenë një pikë kryesore që më bëri të isha dhe fituese. Thjesht plotësova kriteret që duheshin për “She’s On Top”, të bëja një sfilatë të mirë, të bëja një foto të mirë dhe të tregoja një sjellje të duhur. Dhe për këtë jam shumë krenare.
Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë këtij rrugëtimi?
Ka patur disa në fakt, por ashtu siç e ceka pak më parë, momenti më i vështirë ka qenë një moment spontan, të pjesës emotive. Sfidat kishin atë vështirësinë e vet, për t’u munduar për t’i fituar. Vështirësi kanë qenë dhe debatet ku ti nuk e gjen veten tënde, kontraktohesh. Sepse thua që nuk mund ta vazhdosh këtë debat jo sepse ti nuk ke argumente, por sepse nuk vlen argumenti në atë lloj debati.