Shtatë persona kanë humbur jetën pasi një urë autostrade u shemb mbi një tren pasagjerësh në rajonin Bryansk të Rusisë. Guvernatori i Bryanskit, Aleksandr Bogomaz, njoftoi në kanalin e tij Telegram se një urë autostrade në rajon u shemb mbi një tren pasagjerësh që po udhëtonte nga Klimovi në Moskë.
Bogomaz tha se ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën e tyre në vendngjarje, duke shtuar se shtatë persona humbën jetën dhe 66 vetë, mes tyre tre fëmijë, u lënduan si pasojë e shembjes së urës. 44 nga të plagosurit u dërguan në spital dhe 22 u trajtuan në mënyrë ambulatore.
Ende nuk dihen me saktësi shkaqet e shembjes së urës në Bryansk të Rusisë.