Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin do të mbajë një takim virtual të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës i përbërë nga dhjetëra vende që kanë mbështetur Kievin në luftën kundër pushtimit rus. Kjo mes thirrjeve të presidentit Volodymyr Zelensky për aleatët, që të shpejtojnë dorëzimin e avionëve luftarakë të premtuar F-16.
Takimi virtual do të fokusohet në strategjitë për të ruajtur aftësitë e manovrimit të Ukrainës e përmirësuar mbrojtjen ajrore të vendit, në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme nga Rusia. Kjo vjen në kohën kur Moska po intensifikon sulmet ajrore kundër qyteteve dhe rajoneve të Ukrainës.
Rusët lëshuan një valë të re të dronëve sulmues të prodhuar nga Irani në Kiev dhe disa rajone të Ukrainës gjatë natës, por të gjithë dronët u rrëzuan.
36 dronë u nisën drejt Ukrainës nga veriu dhe jugu. Armiku synonte të sulmonte infrastrukturën kritike dhe objektet ushtarake në rajonet perëndimore të vendit.
Më herët, zyrtarët ukrainas thanë se alarme për sulme ajrore janë lëshuar në rajonet e Kievit, Çernihivit, Zhitomirit, Kirovohradit, Mikolaivit, Hersonit, Dnipropetrovskut, Odesas, Volinit, Ternopilit, Vinitsjas e Lvivit.
Luftimet vazhduan për qytetin e Bahmutit, epiqendra e luftës në rajonin Donjeck të Ukrainës. Mbrojtësit ukrainas zmbrapsën 28 sulme ruse në Bahmut. Sulmet ruse vranë një civil në Çasiv Jar, në afërsi të Bahmutit.
Zelensky theksoi se dorëzimi i avionëve F-16 të prodhuar nga SHBA-të në Kiev shërben si tregues domethënës se Rusia do të mposhtet në luftën në Ukrainë.
F-16 i parë ukrainas do t’i dërgojë një mesazh të fuqishëm botës se agresioni i Rusisë do të çojë vetëm në humbjen e saj. Ai do ta bëjë Rusinë më të dobët dhe më të izoluar.
Më tej, nënvizoi rëndësinë e trajnimit të pilotëve e furnizimit të shpejtë, duke theksuar nevojën për vendime të shpejta, për të mbrojtur në mënyrë efektive hapësirën ajrore të Ukrainës.
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë raporton se ka arrestuar dy ukrainas, për të cilët pretendon se po planifikonin të sulmonin termocentralet bërthamore ruse.
Një grup sabotazhi nga shërbimi i inteligjencës së jashtme ukrainase u përpoq të hidhte në erë rreth 30 linja energjetike të centraleve bërthamore në Leningrad dhe Kalinin.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, tre anije sipërfaqësore të telekomanduara me origjinë ukrainase bënë një përpjekje për të sulmuar një anije luftarake ruse në Detin e Zi.
Anija ruse mbrojti tubacionet TurkStream e Blue Stream që transportojnë gaz nga Rusia në Turqi, nuk u dëmtua dhe të gjitha anijet sulmuese u shkatërruan.
Kievi nuk komentoi pretendimin, që nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.