Health & Beauty

Sa efektiv është vaji i rozmarinës sipas shkencës në rritjen e flokëve?

Aplikimi i vajit në flokë është metodë antike, e cila thuhet se është përdorur që në Egjiptin e lashtë. Trashëgimia e kësaj metode vazhdon edhe sot, me efekte të konfirmuara të cilat arrijnë deri në veprim anti-bakterial prej përzierjes së vajrave vegjetalë dhe esencialë. Tek të parët hyjnë vaji i arganit, i ullirit, i bajames dhe farave. Ndërsa tek esencialët sugjerohen vaji i rozmarinës, i mentës, livandës dhe i pemës së çajit. Por, është shumë e rëndësishme që çdo vaj që do përdorni të ketë përpunim dhe të jetë për kozmetikë, përndryshe dëmet mund të jenë të pariparueshme.

Për disa vite me radhë, rrjetet sociale veçanërisht TikTok janë mbushur me video që lavdërojnë vajin e rozmarinës si zgjidhje për rënien e flokëve. Përdorues të shumtë pretendojnë se ai u ka ndihmuar me hollimin e flokëve dhe u ka sjellë flokë më të gjatë e më të dendur. Megjithatë, sipas dermatologëve, vetëm rozmarina nuk ka gjasa të nxisë rritjen e flokëve në mënyrë domethënëse.

“Humbja e flokëve është biologjikisht komplekse dhe emocionalisht e ndjeshme, çka e bën veçanërisht të cenueshme ndaj pretendimeve të thjeshtuara ose të ekzagjeruara”, thotë Oma Agbai, profesoreshë e asociuar e dermatologjisë dhe drejtoreshë e dermatologjisë multikulturore dhe çrregullimeve të flokëve në Universitetin e Kalifornisë, Davis.

Sipas saj, disa persona mund të përfitojnë lehtë, por kjo nuk është “e krahasueshme me trajtimet më efektive dhe të bazuara në prova shkencore”. Vaji i rozmarinës është një vaj esencial i nxjerrë nga bima e rozmarinës dhe përdoret gjerësisht në produkte për kujdesin e flokëve dhe lëkurës. Argumenti kryesor është se vetitë e tij anti-inflamatore dhe antimikrobiale mund të rrisin qarkullimin e gjakut dhe të ulin inflamacionin në skalp, duke mbështetur potencialisht rritjen e flokëve.

Megjithëse mungon mbështetja e fortë shkencore për përdorimin e tij si trajtim kundër rënies së flokëve, disa studime sugjerojnë se mund të ketë një përfitim modest për personat me alopeci androgjenetike, forma më e zakonshme e rënies së flokëve, që përfshin modelin mashkullor dhe femëror.