Aktualitet Sport

Qeveria rrit shpërblimet për sportistët elitarë e trajnerët e tyre/Rritet me 43% trajtimi ushqimor ditor!

Qeveria miratoi një vendim të ri që parashikon rritje të ndjeshme të shpërblimeve për sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre, me efekt që pritet të nisë brenda muajit prill 2026.

Ministri për Turizmin, Kulturën dhe Sportin, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se skema e re synon të krijojë një sistem më të drejtë dhe motivues për sportistët, duke marrë në konsideratë edhe sportet me disa disiplina.

Ndryshimet përfshijnë një rritje prej 75% të mbështetjes për sportet jo olimpike, si dhe një rritje me 25% të shpërblimeve për trajnerët e sportistëve elitarë. Po ashtu, trajtimi ushqimor ditor për sportistët rritet me 43%, duke kaluar nga 3500 lekë në 5000 lekë në ditë.

Ministri theksoi se janë parashikuar edhe rritje të tjera të konsiderueshme, duke përfshirë deri në 65% për stile të veçanta dhe deri në 100% për rezultatet përfundimtare në gara të caktuara. Në disa raste, sipas skemës së re, shpërblimi total mund të arrijë deri në 230%.

Ndryshimet prekin gjithashtu garat ndërkombëtare, ku parashikohet rritje deri në 200% për disa kategori rezultatesh në kampionatet evropiane, ndërsa për kategori të tjera, rritja varion nga 50% në 100%. Për lojërat olimpike dhe kampionatet botërore është parashikuar dyfishim i shpërblimeve. Rritje do të ketë edhe për garat mesdhetare e ballkanike.

Sipas Gonxhes, ky vendim synon të rrisë motivimin dhe mbështetjen për sportistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare, duke përmirësuar kushtet dhe shpërblimet për arritjet e tyre.