Health & Beauty Lifestyle

Sa ndikojnë antidepresivët gjatë periudhës së shtatzënisë?

Një studim i fundit ka zbuluar se ekspozimi ndaj antidepresivëve SSRI (frenuesve përzgjedhës të rithithjes së serotoninës) gjatë shtatzënisë mund të ndikojë në zhvillimin e trurit të fetusit, veçanërisht në zonat që janë të rëndësishme për përpunimin e emocioneve.

Këto janë gjetjet kryesore të një studimi të realizuar nga Claudia Lugo-Candelas, kërkuese në Universitetin e Kolumbisë në Nju Jork.

Në studim u theksua se, ndonëse përdorimi i SSRI-ve nga gratë shtatzëna ka pësuar rritje gjatë 30 viteve të fundit, ende dihet pak për ndikimin e ekspozimit prenatal ndaj këtyre barnave në zhvillimin nervor të fetusit.

Sipas Lugo-Candelas, studimet mbi modelet e kafshëve kanë treguar se ekspozimi ndaj SSRI-ve ndryshon qarqet limbike dhe mund të shkaktojë sjellje të ankthit dhe depresionit pas adoleshencës, por kërkimet tek njerëzit janë ende të kufizuara.

Në studim, morën pjesë 98 nëna dhe fëmijët e tyre, nga të cilët 16 ishin të ekspozuar ndaj SSRI-ve gjatë shtatzënisë, 21 të tjerë kishin nënat me depresion të patrajtuar dhe 61 fëmijë ishin pjesë e grupit të kontrollit të shëndetshëm.

Analizat e trurit të fëmijëve, duke përfshirë rezonancën magnetike dhe tratografinë, treguan ndryshime të dukshme në materien gri dhe të bardhë, duke përfshirë rritjen e lidhjeve mes amigdalës dhe insulës në grupin e ekspozuar ndaj SSRI-ve.

Autorët e studimit theksuan se këto të dhëna nënvizojnë nevojën për kërkime të mëtejshme afatgjata në fushat e psikologjisë dhe sjelljes, për të monitoruar efektet afatgjata të këtyre ndryshimeve në zhvillimin nervor.