Nesër në Tiranë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj pret kryetarët e shteteve dhe delegacioneve të vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në kuadër të kryesimit të këtij procesi nga Shqipëria.
Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga Presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP-së.
SEECP është një platformë e rëndësishme e Bashkëpunimit Rajonal dhe e Integrimit Europian. Si kryesuese e radhës e SEECP-së për periudhën qershor 2024-korrik 2025, nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane”, Shqipëria ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
Samiti i SEECP që mbahet nesër në Tiranë pritet të shërbejë për nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit me ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Në këtë kontekst, liderët pjesëmarrës synojnë që në samit të shprehin angazhim për të forcuar më tej rolin e SEECP-së. Gjithashtu, ata do të paraqesin përfundimet e takimit në një deklaratë të përbashkët.
Në mbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i kalojë homologut bullgar, presidentit Radev, kryesimin e radhës të SEECP-së. Krahas mikpritjes së aktivitetit, kreu i shtetit pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë e liderë pjesëmarrës të procesit të SEECP-së, për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende.