Health & Beauty

Sauna e thatë dhe “detoksifikimi”, çfarë konfirmon shkenca dhe çfarë mbetet e paqartë…

Sauna e thatë lidhet shpesh me idenë e pastrimit të organizmit, për shkak të djersitjes së fortë që shkakton. Disa studime shkencore kanë treguar se përmes djersës mund të eliminohen sasi të vogla të përbërjeve kimike të lidhura me plastikën, si BPA dhe ftalatet.

Në disa raste, këto substanca janë gjetur në përqendrime të matshme, madje edhe më të larta se ato të zbuluara në urinë. Kjo sugjeron se djersitja mund të përbëjë një rrugë shtesë të ekskretimit për disa molekula liposolubile.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se është e domosdoshme të bëhet dallimi mes aditivëve kimikë të plastikës dhe mikroplastikave. Mikroplastikat janë grimca të ngurta dhe kërkimet mbi shpërndarjen dhe eliminimin e tyre nga organizmi i njeriut janë ende në fazë fillestare.

Studime të fundit kanë konfirmuar praninë e tyre në gjak dhe në disa inde, përfshirë ato riprodhuese, por nuk ka ende të dhëna të sakta që të tregojnë se sa, apo nëse, sauna ndihmon në reduktimin e tyre.

Si përfundim, sauna e thatë vazhdon të lidhet kryesisht me përfitime të njohura kardiovaskulare, relaksim dhe përmirësim të ndjesisë së mirëqenies.

Ndërkohë, roli i saj i mundshëm në proceset e eliminimit të ndotësve mjedisorë mbetet një fushë kërkimi ende e hapur, që kërkon kujdes në interpretim dhe studime të mëtejshme shkencore.

Sauna e thatë është një ambient relaksimi që përdor nxehtësi të thatë për të ngrohur trupin, zakonisht me temperatura të larta që variojnë nga 70 deri në 100 gradë Celsius dhe me nivel shumë të ulët lagështie. Nxehtësia krijohet nga soba elektrike ose gurë të nxehtë, pa prodhuar avull, çka e bën ajrin të thatë dhe të lehtë për frymëmarrje.

Ndërsa sauna me avull ka temperaturë më të ulët, zakonisht rreth 40–50 gradë Celsius, por lagështi shumë të lartë, pothuajse 100 për qind, çka krijon një ambient me avull të dendur. Sauna e thatë ndihmon më shumë në relaksimin e muskujve dhe stimulimin e qarkullimit të gjakut, ndërsa sauna me avull është veçanërisht e dobishme për pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes dhe hidratimin e lëkurës.

Qëndrimi në saunë të thatë ndihmon në relaksimin e muskujve, përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe reduktimin e stresit, duke nxitur një ndjesi të përgjithshme mirëqenieje dhe përmirësim të humorit. Gjithashtu, djersitja intensive ndihmon në pastrimin e poreve të lëkurës.

Megjithatë, përdorimi i saj duhet të bëhet me kujdes, sidomos nga personat me probleme kardiovaskulare, tension të lartë ose gratë shtatzëna, të cilët duhet të këshillohen paraprakisht me mjekun.